Siguri e shtuar te varri i Goce Dellçevit. Kovaçevski: Provokuesit nuk do të mund të hyjnë në shtet

TË FUNDIT

Shumë ekipe policore nga dje janë shpërndarë në zonën rreth kishës “Shën Spas”, ku gjendet varri i revolucionarit maqedonas, Goce Dellçev në prag të kremtimit të nesërm të 151 vjetorit të lindjes së tij. Policia ngriti nivelin e sigurisë dhe mbylli trafikun dhe qasjen e qytetarëve deri te kisha, pas paralajmërimeve të disa grupeve të vendit që bëjnë thirrje për dalje masive, me qëllim siç thonë, të mbrohet figura dhe vepra e Dellçevit.

Njëkohësisht, këto masa janë vendosur edhe me qëllim që të mos lejohen provokime nga shoqata të caktuara bullgare të cilat paralajmërojnë ardhjen e tyre në vend. Kryeministri Dimitar Kovaçevski bëri thirrje që dita e nesërme të shënohet në mënyrë të denjë, duke shtuar se të gjithë personave për të cilët ka indikacione se mund të shkaktojnë trazira, nuk do t’u lejohet hyrja në kufi, por nuk deshi të zbulojë nëse kjo vlen edhe për Angell Xhambaskin. Tani për tani, thotë ai, nuk ka paralajmërime se do të vijë ndonjë delegacion zyrtar shtetëror nga Bullgaria.

“Çdokush që ka qëllime të mira, çdo institucion zyrtar shtetëror, që duan të përkulen te varri i revolucionarit të luftës kombëtare maqedonase, këtu në Shkup, në mënyrë të denjë lirisht mund ta paralajmërojnë pjesëmarrjen e tyre. Të gjithë ata që janë me qëllime të këqija, që janë provokues, që e mohojnë popullin maqedonas, shtetin maqedonas, që i ofendojnë ndjenjat e maqedonasve dhe të qytetarëve të tjerë, nuk do të hyjnë në shtetin tonë”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Në lidhje me deklaratën e djeshme që e miratoi Kuvendi bullgar në ditën e fundit para shpërbërjes së Kuvendit dhe me të cilën dënohet dhuna ndaj bullgarëve në Maqedoni, Kovaçevski me qëndrim se deklarata e këtillë nuk shkon në favor politikave të dakorduara mes të dy vendeve. Për këtë dje me kumtesë doli edhe MPJ-ja.

“Me keqardhje, Ministria dhe unë, konstatoj se Deklarata kuvendore për gjoja përshkallëzim të aktiviteteve agresive anti bullgare në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk përputhet me politikën e dakorduar për avancim të marrëdhënieve mes dy vendeve përmes njohjes dhe respektimit të ndërsjellë. Deklaratat e shumta për raste të këtilla që tashmë janë futur edhe në deklaratën e Kuvendit bullgar i konsiderojmë të tepruara dhe të pabazë që në asnjë mënyrë nuk përputhen me realitet”, shtoi Kovaçevski.

Nesër, më 4 shkurt, shënohet 151 vjetori i lindjes së revolucionarit Goce Dellçev, ku shumë delegacione do të përkulen te varri duke vendosur kurora lulesh.