Kryeministri bëri shaka në llogari të tij dhe Qeverisë në lidhje me arritjen e vaksinave, duke thënë se e ka datën e saktë, por nuk mund ta tregojë për shkak se mund të ndodhë që ato të mos arrijnë.
“Unë tani e kam informacionin se kur do të arrijnë 3000 vaksinat e para por si them nëse nuk arrijnë hahah”, tha Zoran Zaev.
Me muaj kryeministri dhe ministri i shëndetësisë Venko Filipçe me premtime të ndryshme në lidhje me datën e arritjes së vaksinave.
Me frazat më të shpeshta “këto ditë”, “së shpejti”, “në fazën e fundit ose përfundimtare”, “jemi duke negociuar”, përgjigjeshin se kur do të arrijnë vaksinat e porositura Pfizer, Astrazeneka ose përmes sistemit Kovaks.
“Të dielën i presim tre mijë vaksinat të arrijnë me DHL. Ministri organizohet me ambasadorin që t’i presë dhe normal se i presim në qarkullim”, tha më tej Zaevi.
Përndryshe dje ministri i shëndetësisë Venko Filipçe deklaroi se këtë muaj në vendin tonë do të arrijnë vaksinat Pfizer me çka do të fillojë imunizimi i popullsisë kundër virusit korona. Vaksinat e para Pfizer sipas marrëveshjes me kompaninë, duhet të arrijnë në tremujorin e parë të këtij viti, përkatësisht deri në fund të marsit. Përmes të gjitha mekanizmave është bërë gjithçka që është e nevojshme dhe janë marrë vesh gjithsej 2,5 milionë vaksina.
