“Si të mbroheni nga alergjia në pranverë”

TË FUNDIT

Në shfaqjen e alergjive pranverore ndikojnë shumë faktorë klimatik: ndryshimi i temperaturave të ajrit, lagështia dhe shirat.

Me ardhjen e pranverës, numri i rasteve të alergjive që shkaktohen nga poleni është zakonisht në rritje,ndër faktorët më kryesorë që ndikojnë në shfaqjen e alergjisë nga lulet janë:ekspozimi ndaj polenit, vetia alergjike e polenit, përqendrimi i polenit në ajër dhe madhësia e grimcës së polenit.

Pacientët që vuajnë nga alergjia e polenit ankohen për teshtima të shpeshta, të herëpashershme, rrjedhje të ujshme të shumta, kruajtje dhe skuqje të hundës, bllokim të tyre që kalon nga njëra anë në tjetrën. Por dhe skuqje, kruajtje, lotim sysh dhe mosdurim drite (fotofobi). Po ashtu mund të ketë kollitje, gërhitje në gjoks, marrje fryme, sekrecione të pastra dhe që mezi nxirren, gjë që tregon se në sëmundje kompromentohen edhe mushkëritë. Gjithashtu shenjat e mësipërme mund të shoqërohen me: dobësi trupore, dhimbje koke, ankth etj.

Mënyra më e mire e parandalimit të kësaj gjendjeje është shmangia e kontaktit me shkaktarin kryesorë të alergjisë që janë polenet e luleve.Duke qenë se një gjë e tillë nuk është e mundur plotësisht, atëherë rekomandohet shmangia në maksimum e ekspozimit ndaj tyre, sidomos në orët e mëngjesit deri te dreka dhe ditët me erë kur prania e poleneve në ajër është më e lartë.

Rekomandohet që këta persona të lajnë shpesh duart, fytyrën dhe sidomos flokët, për të larguar polenet që mbeten në trup. Po ashtu duhet të shmangen shëtitjet dhe qëndrimet në mjedise që kanë lule, bar apo pemë. Një kujdes i veçantë duhet treguar dhe ndaj ushqimeve që japin alergji të kryqëzuar me polenet që janë alergjike.