Kuvendi ende është në pritje të njoftimit zyrtar nga koalicioni VLEN se grupi i tyre parlamentar në të ardhmen do të veprojë pa deputetët e ASH-së, ndërsa koordinator i ri do të jetë Bekim Qoku. Grupi parlamentar tani numëron nëntë deputetë, deklaroi për TV21 Bekim Qoku, por ai theksoi se pret që bashkëpunimi i mirë të vazhdojë edhe pas ndarjes.
Siç paralajmëroi edhe paraprakisht Halil Snopçe, nga ASH e Taravarit, edhe ata do të formojnë grup të tyre të deputetëve, por presin që hapin e parë ta bëjnë ish partnerët e koalicionit. U munduam që të kontaktojmë me Snopçen për të na u përgjigjur pyetjeve rreth grupit të tyre të deputetëve dhe nëse ata janë kompakt duke pasur parasysh deklaratën e Qokut, ai nuk na u përgjigj. Pas takimit të djeshëm të Taravarit me Mickoskin, nga VMRO-DPMNE-ja, thonë se ende ekziston mundësia që Taravari të largohet nga Qeveria, por jo edhe deputetët e tij, tha Bekim Qoku nga VLEN.
“Largimi i atyre deputetëve, sado që të jenë, nuk jam i sigurt se do të jenë të gjithë të pestë, nuk do ta cenojnë funksionimin e koalicionit. Nuk jam i sigurt se të gjithë do të largohen, sepse, siç e kam thënë edhe më parë, ka figura që kanë renome dhe që duan të përputhen me parimet dhe vlerat e koalicionit”, sqaroi Bojan Stojanovski, VMRO-DPMNE.
Për momentin nuk ka paralajmërime për kalime të mundshme të deputetëve nga koalicioni Fronti Europian, në drejtim të përforcimit të shumicës. Deputeti nga partia turke, Sali Murat, i cili është pjesë e këtij koalicioni, thotë se nuk mendon të ndërmarrë diçka të tillë dhe tha se Qeveria është jolegjitime, duke bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme.
“Ata kanë krijuar koalicion mes mjeshtrit dhe çirakut, sepse edhe vetë Arben Taravari e pranoi që 70% e votuesve nuk kanë besim tek ata, se nuk vlerësohen brenda radhëve të koalicionit të tyre, dhe sipas meje, Maqedonia me këtë po shkon drejt një krize politike, andaj ne bëjmë thirrje për zgjedhje të parakohshme”, tha Sali Murati nga FE.
Rigrupimet në Kuvend nisën me mosmarrëveshje dhe më pas edhe me ndarjen e VLEN-it me Aleancën për Shqiptarët të Arben Taravarit, me ç’rast të dy palët paralajmëruan formimin e grupeve të tyre parlamentare.
