Si do të furnizohemi me rrymë? Shkollat në treg të rregulluar, spitalet do t’i furnizojë EMV-ja

TË FUNDIT

Qeveria është në fazën përfundimtare për të arritur marrëveshje me Serbinë për shkëmbim të energjencave. Në qoftë se lidhet kjo marrëveshje, Serbia do të duhet të na japë gaz me të cilin “TE-TO” do të prodhojë energji elektrike. Gjysma e kësaj energjie do të duhet t’i dërgohet fqinjit verior, ndërsa gjysma tjetër do të mbetet që të shitet në tregun vendas. Kështu sqaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, në intervistën e djeshme për “360 gradë”, duke theksuar se në këtë mënyrë do të sigurohet rrymë me çmim më të ulët. Megjithatë, me siguri nuk do të ndalet me kaq, sepse siç tha Bekteshi, negociata po zhvillohen edhe me Turqinë dhe me Bullgarinë. Por, si do të furnizohen me rrymë shkollat dhe institucionet shëndetësore gjatë periudhës krize?

Për shkollat fillore dhe të mesme do të vendosen në treg të rregulluar por klinikat, spitalet në përgjithësi do të furnizohen nga EMV pra e cila merret edhe me tregtinë e energjisë elektrike me çmime të cilat janë të përballueshme për funksionimin e klinikave dhe spitaleve në vendin tonë ajo nuk do të ndikojë sepse çmimi pro rus në përgjithësi i EMV-së është diku 7 euro për megavat në orë dhe me siguri që shkollat fillore dhe shkollat e mesme do të subvencionohen me një çmim nga ana e Qeverisë e cila vlen edhe për klinikat edhe për spitalet”, tha Kreshni Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Kriza energjetike ishte temë debati edhe në takimin e sotëm mes Presidentit Stevo Pendarovski dhe kryetares së Komisionit Europian, Ursula von der Lejen që u mbajt në Sofje. Pendarovski tha se pret ndihmë nga BE-ja.

“Me kryetaren e Komisionit Europian, Ursula von der Lejen në Sofje biseduam për rrjedhën e procesit të skriningut dhe krizën energjetike. Shpresojmë në mbështetjen e Komisionit Europian në ballafaqim me krizën energjetike në frymë të solidaritetit europian”, tha presidenti Stevo Pendarovski.

Me qëllim të zbutjes së krizës në sektorin energjetik, këto ditë edhe kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, doli me propozim, me të cilin, siç tha, çmimi i energjisë elektrike për ekonominë do të jetë dyfish më i ulët. Për këtë, ai kërkoi takim me kryeministrin Kovaçevski, i cili refuzoi, por pas kësaj, i dërgoi ftesë edhe zëvendëskryeministrit për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.  

Ftoj zëvendëskryetarin e Qeverisë përgjegjës për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, të takohemi të dielën, më 2 tetor në orën 12:00 në selinë e VMRO-DPMNE-së, ku do të shpjegoj në detaje planin dhe konceptin për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe ndihmën për sektorin e biznesit”, tha Hristijan Mickoski.

Dje, në seancën e Kuvendit unanimisht u miratua vazhdimi i gjendjes krize në energjetikë në territorin e të gjithë vendit dhe për ngrohjen qendrore në nivel të Qytetit të Shkupit që do të zgjasë deri më 30 prill të vitit të ardhshëm.