Si dhe pse u v’ra 59-vjeçari? Prokuroria me detaje për rrjedhën e ngjarjeve

TË FUNDIT

Me armë të tipit “Glock” gjuajti mbi 59 vjeçarin V.E.. Bashkëshortes së tij i vodhi një çantën me laptop dhe u largua me veturë të tipit AUDI. Pas kësaj, vjen një veturë e tipit Citroen dhe nga vetura e të ndjerit mori një kuti me vegla dhe largohet nga vendngjarja. Vetura e tipit AUDI ka qenë pa targa ndërsa vetura Citroen me targa të Belgjikës. I dyshuari i dytë duke ikur nga policia, veturën e tij e ka braktisur në lagjen Gazi Babë. Aty e ka pritur kryerësi i vrasjes dhe bashkë janë larguar me veturën AUDI. Në rrugën “Stojna Stefkova” janë hasur nga policia. I dyshuari i dytë fillon të gjuajë me armë zjarri mbi policët. Policët kundërpërgjigjen me gjuajtje në ajër, me çka i njëjti arrestohet ndërsa vrasësi arratiset.

Kështu, sipas prokurorisë, u zhvillua e gjithë ngjarja e djeshme ku u vra 59-vjeçari V.E në parkingun afër qendrës tregtare “Mavrovasja”.

Ministria e Punëve të Brendshme me qëllim për të gjetur prova dhe dëshmi, ka kryer bastisje në katër lokacione dhe disa vetura.

Sot pas një operacioni të suksesshëm, policia ka arrestuar edhe vrasësin e V.E. Siç njoftojnë nga MPB, bëhet fjalë për 39 vjeçarin E.K nga Shkupi.

Siç mëson Televizioni 21, i ndjeri ka qenë cak i sulmit dhe nuk është vrarë rastësisht. Siç mësohet ai kishte një punishte ari në qendrën tregtare “Biser” në lagjen Aerodrom të Shkupit. Në opinion dolën pati spekulime se qëllimi i vrasësve ka qenë për ta grabitur një çantë me flori të të ndjerit. Policia s’ka gjetur ar në makinë.

Për rastin në fjalë, policia dje arrestoi dy persona. Megjithatë, për njërin prej tyre, siç njofton MPB, nuk është vërtetuar lidhje me ngjarjen, dhe për këtë shkak është liruar.