Shumica tërhiqet nga “Аmbasadorët me 2 shtetësi”! Arsyet: Certifikatat e NATO-s dhe opozita të mos bllokojë

TË FUNDIT

Arsyeja pse shumica parlamentare i tërhoqi propozim-ndryshimet për Ligjin për Punë të Jashtme, është që opozitës të mos i jepet mundësi për të bllokuar parlamentin, por edhe  certifikatat e NATO-s që duhet të marrin ambasadorët.

“Tërheqjen e ligjit e bëjmë në mënyrë dominante që më tej të mos kërkohen justifikime për bllokim, dhe kjo është shmangie e një mjeti për bllokim; dhe realisht certifikatat e NATO-s, që tani janë si risi, janë arsye e rëndësishme për certifikimin e ambasadorëve që shkojnë në vende anëtare në NATO-s dhe besoj se në këtë aspekt ky është një moment i ri në të cilin u orientuam”, tha Zaev.

Kryeministri pohon se edhe në përbërjen e kaluar parlamentare i njëjti ligj ka qenë në Komisionin për Punë të Jashtme, ku edhe atëherë kryetar i komisionit ka qenë Antonio Milloshoski, por sipas Zaevit, deputeti opozitar nuk ka pasur problem, madje edhe kur ka qenë ministër ka lëshuar ambasadorë me dy shtetësi.

I pyetur për këtë, Milloshovski thotë për TV21 se “Zaev duhet të dorëzojë padi penale nëse ka njohuri të tilla dhe se nuk është dashur të presë deri më tani”. Milloshovski dje tregoi se pse e kundërshtojnë propozimin që ambasadorët të kenë nënshtetësi të dyfishtë.

“Në ligjin për informacione të klasifikuara shkruan se për të marrë certifikatë sekret shtetëror, që çdo ambasador duhet ta ketë, mund të ketë shtetësi të dyfishtë. E dyta, vlerësojmë se Ligji nuk duhet në mënyrë paushalle të adaptohet për disa persona që u është premtuar se do të jenë ambasador, e tani ne ta ndryshojmë ligjin për ta. Ministri për punë të jashtme dhe kryeministri e dinë mirë se janë tre kandidatë të cilëve u është premtuar ulëse ambasadori”, tha Milloshovski.

Me qëllim të bllokimit të ligjit, opozitarja VMRO-DPMNE paralajmëroi parashtrimin e 300 amendamenteve. Nga ana tjetër Zaev thotë se  e mbështet vendimin e deputetëve të shumicës për ta tërhequr propozimin.

Spekulimet se edhe Milloshovski ka dy shtetësi, maqedonase dhe bullgare, deputeti dhe ish-Ministri i Jashtëm i hedh poshtë duke pohuar se “përveç shtetësisë maqedonase, nuk posedon shtetësi tjetër, nuk planifikon të ketë, e as nuk i duhet”.