Shulce: Gjermania premton 200 milionë euro ndihmë për personat e zhvendosur brenda vendit në Ukrainë

TË FUNDIT

Gjermania do t’i japë Ukrainës 200 milionë euro shtesë për financimin e një programi për të ndihmuar personat e zhvendosur brenda Ukrainës si pasojë e pushtimit rus, tha ministrja e Zhvillimit Svenja Shulce për “Funke Media Group”.

Kryeministri ukrainas Denis Shmihal nesër do të vizitojë Berlinin, ku do të takohet me kancelarin gjerman Olaf Sholc.

“Unë do të flas me kryeministrin Shmihal se si mund të vazhdojmë të mbështesim qeverinë ukrainase në kujdesin për të mërguarit”, tha Shulce.

“Paratë janë të destinuara të ndihmojnë personat e zhvendosur brenda vendit në Ukrainë, në mënyrë që ata të mund të sigurojnë nevojat e tyre themelore,” shtoi ajo.

Nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës deri më 23 gusht, rreth shtatë milionë ukrainas konsiderohen të zhvendosur brenda vendit, sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin e Kombeve të Bashkuara.

Muajin e kaluar, një përfaqësues i qeverisë gjermane deklaroi se Bashkimi Evropian synon të hartojë një pako financiare për Ukrainën me vlerë rreth tetë miliardë euro deri në shtator, në të cilën do të marrë pjesë edhe Gjermania.