Shtyhet Komisioni për ASK-në, Gashi ka anashkaluar procedurat dhe nuk ka njoftuar Rexhepin

TË FUNDIT

U shty seanca e Komisionit për mbikëqyrje mbi punën e Agjencisë për Siguri Kombëtare që ishte caktuar për në orën 11. Seancën duhej ta udhëhiqte Sllavjanka Petrovska pasi kryetari i Komisionit Skënder Rexhepi refuzoi ta caktojë për shkak se ai nuk ka certifikatë sigurie.

“Seanca e sotme nuk u shty, ajo u anulua sepse është kundër rregullores dhe normalisht seancë do të thërras unë kur për një gjë të tillë do të ketë kërkesë. Është e trishtueshme që u bëmë një shtet banane në të cilin secili e përgjon tjetrin dhe njëkohësisht secili e di që secili e përgjon tjetrin. Si mundet që kryeministri të ketë informata të tilla se është përgjuar, kur dihet se shërbimet shtetërore të sigurisë informacionet e klasifikuara dihet sipas cilit rend të ligjit nxirren në opinion. Prandaj unë nuk do të jem pjesë e një skandali të tillë dhe do të veproj vetëm në përputhje me Rregulloren”, tha Rexhepi.

Reagoi edhe opozita LSDM, nga ku akuzojnë se kryeministri Mickoski frikësohet nga deklasifikimi i dokumenteve.

“Pse pas pothuajse një jave nga publikimi i pretendimeve për ndjekjen e Hristijan Mickoskit, as drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare Bojan Hristovski, as kryeministri Hristijan Mickoski nuk e filluan procedurën për deklasifikimin e dokumenteve të cilat do t’i vërtetonin pretendimet e pushtetit. Pse ai vetë nuk kërkoi deklasifikim të dokumentacionit nga Agjencia për Siguri Kombëtare në të cilin gjoja ishte ndjekur. Nga se frikësohet Hristijan Mickoski?”, tha Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.

Deputeti i DPMNE-së Lupço Prenxhov, që është edhe anëtar i Komisionit, nuk heq dorë nga ideja që seanca të thirret sot në çfarëdo kohe dhe tashmë më 9 shtator të jenë në ASK. Ai thotë se për të është punë teknike kush do ta udhëheqë komisionin.

“Unë jam që ajo të ndodhë shumë më shpejt që deputetët në Komision të shkojnë në Agjenci. Këtë e presin qytetarët nga ne. Qytetarët nuk i intereson sipas cilit nen, pikë apo presje ne do të shkojmë në ASK, i intereson që ne të shkojmë në ASK. Prandaj them sot, a do të ketë seancë në 12, në 6 të mbrëmjes apo në mesnatë, ne jemi këtu, duhet të ketë seancë me qëllim që të përmbushim detyrën për të cilën ekzistojmë. Thelbi është, a do të kemi më 9-të në orën 9 të mëngjesit mbikëqyrje në kuadër të Agjencisë”, tha Prenxhov.

Nga VMRO-DPMNE gjithashtu e ftuan Prokurorinë të hapë hetim për ndjekjen dhe përgjimin, sepse, siç thanë, duhet të ketë përgjegjësi për zbatuesit dhe urdhërdhënësit.