Shtyhet afati i përfundimit të Teatrit Shqiptar – Vonesat e rinovimit pengojnë funksionimin

TË FUNDIT

Objekti i Teatrit Shqiptar në Çarshinë e Shkupit është në rinovim për pothuajse dy vjet. Projekti i është besuar një kompanie ndërtimore italiane, e cila përveçse ka filluar me disa muaj vonesë me punimet, nuk ka arritur që të finalizojë projektin në afatin e paraparë, që ishte fundi i shtatorit. Ky projekt është mbështetur financiarisht nga Ministria e Kultures dhe i mbikëqyrur nga Instituti i Ndërtimit “Makedonija”.

Lidhur me këtë, drejtori i Teatrit, Adem Karaga vlerëson se vonesat gjatë punimeve kanë ndodhur për çështje objektive. “Punimet për fat të keq edhe filluan pak me vonesë për hir të hapësirës ku ne jemi, punimet sigurisht që u vonuan pak për hir të kushteve klimatike, temperaturat ranë shumë poshtë, kështu që edhe punimet u prolonguan. Këto janë gjëra që edhe ne nuk mund t’i parandalojmë sigurisht”, informon Karaga.

Mbikëqyrësja nga Instituti i Ndërtimit “Makedonija”, Veselinka Gerasimova, tregon për problemet procedurale që kanë pasur si dhe për evitimin e tyre. “Në rastin e teatrit kishte afate, të cilat duhej t’i respektonim, por për disa shkaqe teknike të procedurave të rikonstruktimit, rinovimi është shtyrë, prandaj këto probleme duhet të definohen. Konkretisht, në mars të vitit të ardhshëm do të mbarojnë punimet dhe në prill do të vihet në funksion teatri, që të mund të ushtrohet veprimtaria artistike”, shpjegon mbikëqyrësja.

Sipas aktorit Bajrush Mjaku, për renovimin e Teatrin janë bërë vonesa të gjata, por, edhe hapësira rreth tij është e papërshtatshme për t’iu qasur teatrit. “E di se para dy viteve ka filluar rekonstruktimi dhe jam i sigurt se edhe dy vite do të vazhdojnë, duke parë kështu se si shkojnë punët dhe se sa pak punëtorë punojnë. Por, për mua nuk e di se sa do të jetë investim me vend nëse do të vazhdojmë të jetojmë në këtë mjedis ku jemi tani ,në mesin e Bit pazarit ku nuk ka kurrfarë infrastrukture”, vlerëson aktori Mjaku.

Teatri Shqiptar i Shkupit sivjet feston 65 vjetorin e themelimit të tij, por emërtimin e sotshëm e mban që nga viti 2005. Gjatë kohës së rinovimit, aktivitetet kulturore janë zhvendosur në Teatrin e Komedisë, në të cilin aktualisht performojnë shfaqjet e tyre 37 aktorët shqiptarë. Me rihapjen e Teatrit Kombëtar Shqiptar,  pritet të shtohet kapaciteti i sallave teatrore dhe numri i aktorëve.

Adnan Qaili