Shtrenjtohet edhe “Temu”, për produkte prej 1000 denarë do të paguani plus 180 denarë taksë

TË FUNDIT

Për porosi të produkteve nga “Temu” dhe dyqanet e ngjashme online me vlerë prej 1.000 denarësh, së shpejti do të paguani plus 180 denarë ose 3 euro më shumë. Do të paguhet 18% TVSH për porositë nga jashtë që janë nën 22 euro, të cilat deri tani ishin të përjashtuara. Kjo do të thotë shtrenjtime për të gjitha produktet që deri tani nuk tatoheshin. Qeveria ka dorëzuar propozim në Kuvend për ndryshime të Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Për ekspertët, ndryshimet janë të mira për të mbrojtur kompanitë vendase.

“Megjithatë janë të mira, të gjitha me qëllim të ndalen paligjshmëritë që ndodhin. Por të kuptohemi, unë nuk jam kundër liberalizimit të ekonomisë për shkak se qytetarët mund të blejnë produkte me çmime më të ulëta. Duhet të kihet kujdes për cilat produkte bëhet fjalë, të gjitha me qëllim që të mos dëmtohen firmat vendase, dyqanet vendase të cilat tashmë raportojnë se janë mjaft të dëmtuara nga importi nga Temu”, tha Nasir Selimi, Profesor Universitar.

Taksa nuk do të paguhet për paketë të dërguar si dhuratë, por me kusht që të mos kushtojë më shumë se 22 euro dhe të mos jetë alkool, parfum ose cigare. Sipas ministrisë së financave, ndryshimet ligjore kanë për qëllim mbështetjen e ekonomisë vendase dhe kompanive. Thonë se rreth 65.000 euro në muaj, sa arrin në disa periudha qarkullimi drejt platformave të huaja online, do të riorientohen drejt ekonomisë vendase.

“Këto mjete do të kontribuojnë për zhvillimin e kompanive lokale, hapjen e vendeve të reja të punës dhe pagimin e pagave më të larta për të punësuarit. Ndryshimet do të ndihmojnë në uljen e ekonomisë gri, duke pasur parasysh se sistemi aktual lejonte keqpërdorime – domethënë importin e mallrave të përjashtuara nga taksa që më pas shiteshin në tregun vendas”, thonë nga Ministria e Financave.

Ndryshe, vetëm në qershor, qytetarët e Maqedonisë kanë porositur 250 ton mall përmes Temu-s. Nga këto, 95 ton ishin me vlerë nën 22 euro dhe për to nuk është paguar asgjë. Për mallrat e mbetura, shteti ka arkëtuar mbi 680 mijë euro detyrime. Transaksionet totale online të qytetarëve në gjysmën e parë të këtij viti janë rritur për 34,3% dhe arrijnë 456,3 milionë euro. Importi nga Kina deri në gusht të këtij viti është rritur për 15,7%, ose në vend ka hyrë mall kinez me vlerë rreth 800 milionë euro. Sipas praktikës aktuale për dërgesa deri në 22 euro nuk paguhen detyrime, nga 22 deri në 45 euro paguhet vetëm TVSH, dhe mbi 45 euro llogariten edhe dogana edhe TVSH.