Shtohen turmat në aeroportin e Kabulit, 31 gushti po afrohet

TË FUNDIT

Turmat e njerëzve që kërkojnë shpëtimin nga Afganistani nëpërmjet aeroportit të Kabulit sa vijnë e shtohen teksa pakësohen ditët kur Amerika me aleatët duhet të tërhiqen nga Afganistani.

Janë rreth 50 mijë shtetas që shpresojnë të ikin përpara datës 31 gusht, pasi më vonë talebanët ka paralajmëruar se mund të ndërhyjnë vetë.

Regjimi i ri ftoi afganët të mos e braktisin vendin prej frikës nga hakmarrja dhe gjakderdhja.

“Problemi më i madh që po has Kabuli është kaosi dhe situata e rrezikshme që shohim në aeroportin e tij. Përditë amerikanët i inkurajonë duke u thënë se do i transferojnë në SHBA apo jashtë dhe se i kanë avionët gati. Por jashtë nuk u garantojnë as strehimin. Ne po përsëritim mesazhin që askush të mos ketë frikë. Nuk do të ngacmohet njeri por të kthehen në shtëpi” thotë  Zabihullah Mujahid, zëdhënësi i Talebanëve

Amerika ka bindjen se mund ta përfundojë evakuimin deri në fund të muajit, dhe se do i duhet të negociojë me qeverinë talibane për ta shtyrë afatin edhe me disa ditë të tjera.

10 mijë persona u evakuan vetëm ditën e hënë, mes tyre 250 shtetas britanikë dhe afganë.

“Shumë nga këto familje po vijnë fare pa asgjë. Mbrëmë kishim disa foshnja më pak se 2-javëshe vetëm me pelena apo të rritur që nuk kishin as këpucë. djem të vegjël që nuk janë ushqyer prej ditësh.”

Talebanët kontrollojnë tërësisht territorin afgan prej datës 15 gusht dhe po planifikojnë formimin e një Këshilli qeverisës prej 12 burrash, ku do të kenë poste edhe ish-qeveritarë të mëparshëm për ta bërë administratën e re më të pranueshme.

E vetmja provincë ku talebanët ende po përballen me rezistencë është Panxhshiri.

Aty vepron tani Fronti i Rezistencës Kombëtare, me forca të pakëta në numër por me ideale të mëdha anti-talebane.

“Në të kaluarën e kemi mposhtur talebanët kur deshën të kontrollojnë veriun. Do vazhdojmë të qëndrojmë të fortë, t’ua shtypim kokën dhe t’i largojmë liderët e tyre,” thonë rrebelët të cilët duan ta zgjidhin konfliktin me talebanët me luftë ose me një rol vendimarrës në qeverinë e re” thotë një luftëtar.