Shtohen hapësirat e plazheve publike në Velipojë

TË FUNDIT

Velipoja është plazhi me vijën më të gjatë bregdetare në vend ndërsa 35-40% e plazhit ranor buzë Adriatikut është shndërruar në hapësirë publike në dispozicion të pushuesve të saj, shkruan RTSH.

Përfaqësuesi i Bashkisë Shkodër, Bekim Mema shprehet se ky është një nga prioritetet Bashkisë për pushuesit e këtij plazhi. Ato janë të shtrira nga Viluni në Deltën e Bunës.

“Kemi miratuar hartat të cilat kanë një sipërfaqe prej 35%-40%  të hapësirës publike.  Hapësirat publike janë të përqendruara zakonisht në zonat më të aksesueshme me makinë”, tha Bekim Mema, drejtor në Drejtorinë e Përgjithshme e Zhvillimit të Qëndrueshëm Ekonomik.

Plazhet publike në Velipojë do të pajisen gjithashtu me çadrat dhe infrastrukturën e nevojshme sipas standardeve më të mira për pushuesit.

“Jemi duke zhvilluar dhe investime që bëjnë të mundur aksesin sa më të mirë në plazhe, nga pedonalja përmes pedanave. Së shpejti do të përfundoj dhe vendosja e çadrave publike duke e bërë Velipojën një nga bashkitë që ofron këtë shërbim”, u shpreh Mema.

Qindra mijëra pushues zgjedhin çdo vit plazhin e Velipojës si pjesë të pushimeve të tyre për ujin e pastër, rërën kurative dhe atmosferën që krijohet përgjatë sezonit veror.