Shteti nuk po gjobit në vitin 2025, në 7 muaj më pak taksa të mbledhura dhe më pak shpenzime nga e planifikuara

TË FUNDIT

Të dhënat më të fundit të Ministrisë së Financave për realizimin e buxhetit për shtatë muajt e vitit 2025 tregojnë se janë mbledhur më pak taksa dhe të ardhura të tjera, por edhe se është shpenzuar më pak se sa ishte planifikuar. Të ardhurat totale për këtë periudhë shtatëmujore janë për gati 6 pikë përqindjeje më të ulëta nga një shpërndarje ideale mujore, e cila do të ishte pak mbi 58 për qind. Nga kjo, janë realizuar vetëm 52.2 për qind. E ngjashme është edhe tek shpenzimet, ku për këtë periudhë janë shpenzuar 5 për qind më pak mjete.

Për Ministrinë e Financave, ky realizim më i dobët është normal dhe i pritshëm.

“Gjatë gjysmës së parë të vitit realizimi i buxhetit gjithmonë është më i ulët krahasuar me gjysmën e dytë të vitit. Prandaj, për të parë të dhënat reale për realizimin e buxhetit duhet të krahasohen periudhat e njëjta”, thanë nga MF-ja.

Ministria e Financave vlerëson gjithashtu se mosrealizimi i madh në mbledhjen e akcizave, të cilat Dogana arriti t’i inkasojë 50 për qind ose për 8 pikë përqindjeje më pak nga shpërndarja ideale, i atribuohet rënies së çmimeve të derivateve të naftës. Ndërsa, sa i përket mosrealizimit më të madh, mbi 20 pikë përqindjeje, tek mbledhja e taksave administrative dhe gjobave, nga Ministria e Financave nuk u përgjigjën nëse kjo bëhet për të mos i irrituar kompanitë dhe qytetarët me ndëshkime, para zgjedhjeve lokale në tetor.

“Vitin e kaluar kishte kërkesë të shtuar për nxjerrjen e dokumenteve të reja personale me emrin e ri të shtetit, për çka kishte të ardhura më të larta, sidomos nga taksat administrative”, thanë nga MF-ja.

Kjo do të thotë se nga MPB edhe këtë vit kishin pritur fluks të madh kërkesash për dokumente të reja, por kjo nuk ka ndodhur. Përndryshe, të ardhurat jotatimore, ku pjesë janë edhe gjobat, kanë një realizim total prej 47.3 për qind.

Sipas Ministrisë së Financave, këto të ardhura janë të pritshme për këtë pjesë të vitit dhe nuk ka asnjë ngadalësim të ekonomisë. Përkundrazi, ka lëvizur në drejtim pozitiv. Ndërsa, sa i përket shpenzimeve kapitale, të cilat në shtatë muajt e këtij viti janë realizuar 32.3 për qind, nga Ministria e Financave shpjeguan shkurt se ato do të përshpejtohen me realizimin e projekteve të reja, të cilat do të sjellin rritje dhe zhvillim afatgjatë.