Shteti e merr “Drisllën”, ndalohet lëvizja në “Vardarishtë”

TË FUNDIT

Kështu dukej sot Shkupi nga Vodno. Shkupjanët po mbyten në ajrin e ndotur, kryesisht nga zjarret në deponitë Drislla dhe Vardarishtë. Stacionet matëse shtetërore tregojnë rritje të ndotjes me grimca PM10 në ajër.

Edhe pasi shuarja me ujë dje nuk ka dhënë rezultate, metoda e re për shuarjen e zjarrit në Drislla është mbulimi – informoi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov. Për shkak të gjendjes krizë, kompetencat mbi Drisllën i merr Shtabi Kryesor për menaxhimin me kriza. Angellov tha se ka dyshime se zjarri në Drislla është i qëllimshëm.

“Kemi indikacione se bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimishme, sepse gjatë verës, verë në të cilën kishim temperatura rekorde të larta, nuk erdhi deri te vetëshuarja e kësaj deponie, ndërsa tani kur temperaturat, sidomos ato të natës, janë shumë më të ulëta krahasuar me korrikun, ndodhi kjo vetëshuarje në thonjëza e kësaj deponie”, tha Stojançe Angelov, Drejtor i DMSH.

Sot, ndërkaq, Komiteti Menaxhues i ka propozuar Qeverisë të marrë vendim për ndalimin e lëvizjes në deponinë Vardarishtë. Kjo deponi do të shënohet dhe lëvizja nëpër të do të jetë e dënueshme. Në këtë mënyrë do të parandalojmë keqdashësit të lëvizin në këtë deponi – tha Angelov.

“E njëjta do të sigurohet me kujdes dhe do të parandalojmë ndezjen e saj qëllimisht, por edhe të paqëllimshme. Të kujtoj se nga ana e MPB janë ngritur kallëzime penale kundër tre personave të cilët tashmë ndodhen në burg, persona që menaxhonin me mbeturina të paligjshme ku blinin metale që merreshin përmes procesit të djegies së kabllove dhe llojeve të tjera të mbeturinave në deponinë Vardarishtë”, theksoi Stojançe Angelov, Drejtor i DMSH.

Angellov pret që sot të dy deponitë të mbulohen plotësisht. Thotë se kjo është një zgjidhje e përkohshme. Pret që pas zgjedhjeve, qeveria dhe kryetarët e rinj të komunave të fillojnë me realizimin e projektit të miratuar para disa vitesh, që do të jetë një zgjidhje e qëndrueshme.

Kryeministri Mickoski ndërkaq thotë se metani ndizet me një bisht cigareje. Pyet kujt i konvenon kjo temë para zgjedhjeve dhe paralajmëron zgjidhje.

“Vardarishtën nuk e kemi krijuar ne për këto 15 muaj, ajo është krijuar 35 vite, ndoshta edhe më shumë. Por ne do ta zgjidhim. Ashtu siç, kur të marrim kompetencat do ta rregullojmë Drisllën, do ta paketojmë dhe do t’i ngjajë një deponie moderne evropiane me fabrikë që do të prodhojë energji dhe që do t’i përpunojë mbeturinat, do t’i magazinojë, riciklojë e me radhë e me radhë. Dhe kjo do të jetë partneritet publiko-privat. Ja po e them që tani”, u shpreh Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Ndërkaq, banorët e komunës së Aerodromit prej ditësh protestojnë për shkak të djegies së deponisë ilegale pranë Vardarishtës. Iniciativa qytetare “Stop për Vardarishtën” alarmon se djegia e vazhdueshme e kësaj deponie paraqet rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve dhe për mjedisin. Ata edhe sot vazhdojnë me protestat, çdo ditë në orën 18:00 pranë parkut “Avionçe”.