Shtetasi rus që u arrestua në veri, shpallet person “Non Grata”

TË FUNDIT

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot ka njoftuar se ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme që në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore shtetasi rus Mikhail Krasnoshchenkov të shpalle si person “Non Grata” (i padëshirueshëm).

Krasnoshchenkov u arrestua ditë më parë nga Policia e Kosovës pasi pengoi operacionin policor në veri të vendit.

Kreu i Qeverisë së Kosovës tha se ky person duhet ta lëshojë territorin e Kosovës.

“Vendimi është marrë sot ndaj këtij personi që punon si staf ndërkombëtar në Kombet e Bashkuara, dhe të njëjtit i urdhërohet që ta lëshojë territorin e Republikës së Kosovës. Ky vendim ka hyrë në fuqi, sot nga 31 maj 2019”, ka shkruar Haradinaj në një postim në “Facebook”.

Në fund Haradinaj i bëri thirrje Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë të respektojë vendimin.

Sipas kryeministrit vendimi është marrë për shkak të veprimeve të shtetasit rus kundër rendit kushtetues të Kosovës, vlerave universale, paqes dhe stabilitetit./21Media