Projekti i madh energjetik, ndërtimi i hidrocentraleve të Çebrenit dhe Galishtës, mund të jetë një projekt shtetëror, jo privat. Këtë mundësi e la të hapur ministrja e Energjetikës Sanja Bozhinovska, e cila tha se po shqyrtohen të gjitha opsionet se kush mund të jetë financuesi kryesor i projektit.
“Do të ishte më mirë për ne si shtet ta zotëronim, por ky është një projekt që do të kushtojë të paktën një miliard euro, që nuk është pak. Duke ditur se cili ishte buxheti ynë, ne do t’i formalizojmë të gjitha këto vlerësime dhe mendoj se në kohën më të shkurtër të mundshme do të dimë saktësisht se cilën metodë do të aplikojmë në të ardhmen. Megjithatë, ne duam që të jetë projekt shtetëror maqedonas, patjetër”, theksoi Sanja Bozhinovska, Ministre e Energjetikës.
Nëse vendoset të jetë projekt shtetëror, kjo do të thotë një ndryshim në qëndrimin e qeverisë për ta ndërtuar dhe operuar atë nga kompani private, me pjesëmarrjen e EMV-së shtetërore. Përndryshe, këto dy objekte energjetike në “Cërna Reka” u ofruan si një mundësi investimi gjatë vizitës së fundit të qeverisë maqedonase në Emiratet e Bashkuara Arabe. Dhe më pas u theksua se kushdo që të jetë investitor, këtë herë tenderi nuk do të përfshijë menaxhimin e Liqenit ekzistues të Tikveshit, i cili është pjesë e EMV-së, por shërben edhe si rezervuar ujitës për rajonin e Tikveshit. Ministrja Bozhinovska shpreson që këtë herë projekti të ketë sukses.
“Ne krijuam grup pune që në dhjetor, në koordinim me Ministrinë. Ai grup pune pati disa takime, gjatë disa muajve. Tani do ta shohim, për shkak se programet në EMV datojnë që nga viti 1962, të gjithë e dini që kishte 14 tenderë të pasuksesshëm, duam ta bëjmë siç duhet këtë herë. Po shqyrtojmë opsionet nëse do të jetë Çebren dhe Galishtë, sa metra do të jetë penda, kjo është një qasje serioze dhe do të shohim se sa do të jetë, sa do të kushtojë, pohoi Sanja Bozhinovska, Ministre e Energjetikës. .
Ndërtimi i hidrocentraleve Çebren dhe Galishtë ka rëndësi strategjike për Maqedoninë. Jo vetëm në aspekt të sigurimit të pavarësisë më të madhe energjetike me fuqi të instaluar prej 500 megavat, por edhe për sigurimin e dy akumulimeve shtesë që do të jenë rezervuar për ujitje por edhe ujë të pijshëm.