Me rastin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit të gjuhës shqipe, Qendra Analitike Hulumtuese e BDI-së “Abdilaqim Ademi” mbajti debat me temën “Shqipja gjuhë zyrtare – shtyllë e Marrëveshjes së Ohrit“. Nënkryetari i integristëve Bujar Osmani u shpreh Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj të fundit për përkatësinë etnike ka prekur shtyllën e Marrëveshjes së Ohrit, të cilat sipas Osmanit janë përkatësia dhe identiteti etnik, sepse në bazë të përkatësisë etnike krijohen mekanizma mbrojtës për t’u mbrojtur nga majorizimi i shumicës.
“Ky koncept tani është sfiduar me vendimin e gjykatës Kushtetuese të 17 tetorit për shkak se Gjykata Kushtetuese thotë se përkatësia etnike është çështje subjektive, qytetari mund ta ndërrojë çdo ditë dhe shteti nuk ka të drejtë ta identifikojë në një mënyrë, po e bëj një interpretim të lirë, më tepër po e jap qasjen politike të këtij vendimi sepse shteti nuk guxon t’i njeh qytetarët në bazë të përkatësie etnike”, tha Bujar Osmani.
Në këtë debat tematik folën edhe lideri politik i “Lëvizja për Republikën e Re”si dhe ish-deputetja dhe analistja politike, Nikica Korubin, e cila tha se partitë politike maqedonase më të vështirë e kanë pasur ta pranojnë përdorimin e gjuhës shqipe se sa ndryshimin e emrit të shtetit.
“Nëse e shohim nga ana e maqedonasve, apo nga ana e partive politike, më e vështirë ishte ta pranojnë përdorimin e gjuhës shqipe, se sa ndryshimin e emrit apo përfundimin e atyre proceseve. Që nuk është përshtatur me narrativin që e kanë ndërtuar. Sepse normalisht të gjithë do të tregojnë gjithçka për të drejtat e njeriut, apo për multietnitetin e Maqedonisë apo Maqedonisë së Veriut, megjithatë në thelb, por maqedonasit konsiderojnë që ata i japin të drejtat te bashkësitë etnike, nuk i japin maqedonasit të drejtat, Kushtetuesja i jep të drejtat”, tha Nikica Korubin.
Osmani duke e komentuar 22 Nëntorin, që bën pjesë në kalendarine festive të bashkësive etnike në Maqedoni, theksoi se është ditë jo pune për shqiptarët në RMV dhe se sipas Kushtetueses, sot secili mund të thotë se është shqiptar dhe për të është ditë jo pune.
