Shqipëria prej nesër vendos orë policore si pjesë e përpjekjeve që të parandalohet përhapja e virusit të ri korona pas rritjes së shpejtë të rasteve gjatë javëve të kaluara. Të gjithë qytetarëve do t’iu ndalohet që t’i lëshojnë shtëpitë e tyre prej orës 22.00 deri në orën 06.00.
“Për shkak të numrit të lartë të të infektuarve dhe me qëllim që të parandalohet përhapja e mëtutjeshme e infeksionit, sollëm vendim me të cilin ndalohet lëvizja prej orës 22:00 deri në orën 6:00 të mëngjesit. Lëvizja e kufizuar fillon të mërkurën, më 11 nëntor dhe do të zgjasë tri javë. Nga ky vendim përjashtohen vetëm personat të cilët janë në punë dhe shërbimet për nevoja urgjente”, deklaroi mbrëmë Mira Rakacoli, kryetare e Komitetit dhe zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Në Shqipëri ndalohet puna e objekteve hotelierike prej orës 22:00 deri në orën 06:00 (përveç shërbime për dërgesa), përderisa për administratën publike, sipas specifikave të sektorit, do të punohet onlajn ose me rrotacion, me respektim të rreptë të protokolleve.
Rakacoli theksoi se për këtë hap kanë vendosur pas analizës së hollësishme të gjendjes me pandeminë dhe aktivitetet e realizuara deri më tani, si dhe përvoja nga shtete të tjera.
“Gjatë 24 orëve të kaluara nga 2.723 teste, pozitivë janë 563 ose 21 për qind nga të testuarit. Njëkohësisht betejën me virusin e kanë humbur tetë pacientë ose 579 deri më tani, përderisa për fat të mirë në listën e të shëruarve janë vendosur 153 ose gjithsej 12.353 nga gjithsej 25.294 persona të infektuar”, informoi Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Për momentin në tre spitalet për kovid janë hospitalizuar 367 persona prej tyre 15 janë në terapi intensive, prej të cilëve tre të intubuar.