Shqipëria mbyll aventurën olimpike pa medalje në Milano-Cortina

TË FUNDIT

Shqipëria e mbylli sot pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026, duke i dhënë fund një aventure historike në skenën më të madhe të sporteve dimërore. Për herë të parë, katër sportistë shqiptarë zbritën në pistat olimpike, duke shënuar prezencën më të madhe ndonjëherë të vendit në një edicion dimëror.

Shpresat më të mëdha ishin te 19-vjeçarja Lara Colturi, e cila garoi në slalom me objektivin e madh – medaljen e parë olimpike dimërore për Shqipërinë. Në lëshimin e parë ajo dha sinjale pozitive, duke u renditur e shtata, vetëm 1.26 sekonda larg lideres. Megjithatë, në lëshimin e dytë nuk arriti të përmirësojë kohën, duke mbetur jashtë zonës së podiumit.

Gara rezultoi e vështirë edhe për sportistet e tjera kuqezi. Semire Dauti braktisi garën pas një gabimi në sektorin e dytë të pistës, ndërsa Lisa Brunga u skualifikua nga komisarët, pavarësisht se regjistroi kohën 57.58 në zbritje.

Në këtë edicion historik, Shqipëria u përfaqësua nga katër skiatorë: përveç Colturit, Dautit dhe Brungës, në pistë zbriti edhe Denni Xhepa, i vetmi përfaqësues mashkull, që garoi në slalom më 16 shkurt.

Milano-Cortina 2026 do të mbahet mend si momenti kur Shqipëria hodhi hapin më të madh në sportet dimërore. Edhe pse medalja mbetet ende një ëndërr, performancat e Colturit gjatë sezonit – përfshirë rezultatet e forta në Kupën e Botës – kanë rritur ndjeshëm pritshmëritë për të ardhmen.

Presioni olimpik dhe niveli i lartë i konkurrencës në Cortina treguan se rruga drejt podiumit është e vështirë, por jo e pamundur. Pavarësisht mungesës së medaljes, katër flamuj kuqezi në pistën olimpike janë një sinjal i qartë se sportet dimërore shqiptare po hedhin hapa përpara.

Tashmë, sytë janë nga e ardhmja – me shpresën se investimi dhe përkushtimi do ta çojnë Shqipërinë më pranë medaljes së parë olimpike dimërore.