Ambasada e Rusisë në Shqipëri përgënjeshtroi deklaratën e Ministrisë së Jashtme shqiptare për takimin mes ambasadorit rus Aleksandër Karpushin dhe drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Marrëdhënieve Dypalëshe të MPJ’së së Shqipërisë, Sokol Gjoka, që u zhvillua dje.
Sipas njoftimit të ambasadës ruse, Ministria e Jashtme ka shtrembëruar reagimin e Ministrisë së Jashtme ruse në lidhje me incidentin që ndodhi në Maqedoni.
“Ky njoftim nuk përmban asnjë akuzë ndaj shtetit shqiptar, ndryshe nga siç është pretenduar në deklaratën e lartpërmendur të MPJ-së së Shqipërisë. Madje, njoftimi i MPJ-së së Rusisë të dt. 15 prill 2015 mbi deklaratën e kryeministrit shqiptar, z. Edi Rama, për bashkimin e mundshëm të Shqipërisë dhe Kosovës, në lidhje me të cilin u iniciua takimi i Ambasadorit rus me z. Gjoka, faktikisht është në një linjë me deklaratën zyrtare të BE-së për këtë çështje”, thuhet në njoftim.
Sipas ambasadës ruse, MPJ shqiptare nuk pasqyroi aspak frymën e takimit të djeshëm, i cili u zhvillua në një atmosferë miqësore.
“Në deklaratë nuk përmendet dialogu konstruktiv mes palëve mbi çështjet dhe perspektivat e marrëdhënieve ruso-shqiptare, të cilave iu kushtua pjesa më e madhe e bisedës. Është e rëndësishme të vihet re se qëndrimet e Rusisë dhe Shqipërisë ndaj çështjes së Kosovës nuk u trajtuan fare nga bashkëbiseduesit”.
Dje, MPJ shqiptare theksoi se deklaratat e MPJ-së ruse, “përbejnë një shantazh dhe nuk i shërbejnë aspak klimës konstruktive në rajon e aq më pak parimeve të gjithëpranuara të së drejtës ndërkombëtare. Shqipëria është vend anëtar i NATO-si dhe kandidat në BE dhe çdo deklaratë shantazhuese e Rusisë, do të shihet veç përmes këtij prizmi”.
Ambasada ruse i bën thirrje ministrisë që “të njihet me kuptimin e fjalës “shantazh” dhe të shmangë në të ardhmen përdorimin e saj të papërgjegjshëm dhe jokorrekt në deklarata zyrtare të dikasterit të politikës së jashtme”, raporton Expressi.
