Shqipëria e gatshme ti shpallë 'luftë' informalitetit në ekonomi

TË FUNDIT

Qeveria shqiptare është më se e vendosur që më 1 shtator t’i shpallë “luftë” informalitetit në ekonomi. Gjatë një bilanci që bëri sot, ministri i Financave Shkëlqim Cani tha se në Shqipëri 50 për qind e bizneseve veprojnë në të zezë, pa paguar taksa dhe pa u regjistruar. Kjo përkthehet në më pak të ardhura në buxhet, duke penguar më tej edhe zhvillimin ekonomik të vendit dhe mirëqenien e qytetarëve.

Ministri Cani shpjegoi se janë tri faza të komunikimit me biznesin: si fillim vendoset gjobë 50 mijë lekë nëse biznesi rezulton pa regjistrim; në fazën e dytë konfiskohet malli apo materialet; në fazën e tretë nis ndjekja penale.

“Ne shpallëm 1 shtatorin si ditën kur ka filluar në mënyrën e vet më komplekse. Deri tani janë kontaktuar 45 mijë biznese, në dijeninë tuaj janë 100 mijë bizneset aktive; 1/3 e biznesit është e pafiskalizuar; informalitetin ne e çmojmë që është në nivelin e 50 %. Pra duket që kjo shifër pothuajse po qëndron statike. Ne do të kërkojmë zbatimin e ligjit; nëse ligji thotë se nëse për herë të parë konstatohesh se je pa kupon do të gjobitesh me 50 mijë lekë; herën e dytë shtohet elementi i konfiskimit; herën e tretë kemi ndjekje penale”, tha ministri Can i ndërsa shpjegoji se si do të veprojë operacioni i nisur nga Qeveria.

Ministri tha se fushata kundër informalitetit në dukje është e ngjashme më atë të energjisë, por ka veçoritë e veta. Ky aksion do të përfshijë të gjitha bizneset të mëdhenj e të vegjël por edhe profesionet e lira.

“Ky është një program që ngjason me atë të energjisë, por është ndryshe nga ai për arsye se ka veçorinë e vet; kur flasim për biznes atje flasim për popullsi dhe biznesi për bazë ka vetëdeklarimin; nuk e harrojmë që është vetëdeklarimi. Kjo nuk do të fokusohet në një tip biznesi; por në të gjitha llojet e biznesit; po fillimin e ka me biznesin e madh dhe epiqendrën. Ju thashë që do preken që të gjithë, por do të jenë mbi bazë rrisku, nuk mund ti prekësh njëherësh dhe të gjithë njëherësh; por kuptohet faza-faza dhe ato që janë më me rrisk ne do ti trajtojmë më herët; mund të përmend karburantet; duhanin; tek kjo pjesë do jenë edhe profesionet e lira, përqendruar dhe në këto;do të jetë edhe biznesi i vogël. Formulari do jetë i thjeshtë; je i regjistruar apo jo; i ke të regjistruar apo jo punonjësit; ke apo s’ke kasë; lëshon apo jo kupon tatimor; i afishon apo jo çmimet; dhe kanë edhe një pistoletë (disa biznese) ku verifikojnë pullën e akcizës është false apo është e vërtetë,” tha më tej ministri Cani.

Qeveria pret që nga kjo fushatë kundër informalitetit të rris të ardhurat në shtet me një vlerë prej 330 milionë dollarësh; ose 44 miliardë lekë; para të cilat, siç tha Cani, do të ndihmojnë në rritjen e pagave dhe pensioneve si dhe në uljen e borxhit publik. Mes të tjerash ministri i Financave garantoi se në vitin 2016 nuk do të ketë rritje taksash.
“Kjo fushatë, nuk është ndonjë sekret që natyrshëm do të synojë edhe rritjen e të ardhurave, ka dhe përllogaritje se sa do jetë;pra kemi një shifër të përafërt se sa gjykohet që do të jetë kjo e ardhur; 330 milionë dollarë ose afërsisht 40 miliardë lekë. Me rritjen e të ardhurave ne synojmë që do të na ndihmojë në disa drejtime; qëllimi final është ulja e nivelit të taksave; ulja e nivelit të borxhit publik; dhe investime sidomos të aspektit të shëndetësisë dhe të arsimit etj, por kjo do të krijojë mundësi edhe për rritjen e pagave dhe të pensioneve. Për 2016-ën me siguri matematikore përveç ndonjë rregullimi të vogël që është i pallogaritshëm, pra përgjigja ime është; asnjë rritje taksash”, garantoi ministri për vitin 2016.