Shqipëria e gatshme për t’u bërë një nyje logjistike e NATO-s në rajon, përmes investimeve në Korridorin VIII

TË FUNDIT

Ambasadori i SHBA-së në NATO, Matthew Whitaker, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, së bashku me ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi, vizitoi edhe bazën ajrore të Kuçovës, e cila është rinovuar plotësisht me fonde të NATO-s.

Ambasadori Whitaker dhe ministri Nufi diskutuan për gatishmërinë e Shqipërisë për t’u bërë një qendër logjistike e NATO-s në rajon përmes investimeve në Korridorin VIII, si dhe për mënyrat se si Shqipëria mund të rrisë sigurinë rajonale në një nivel më të lartë përmes rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen.

“Duke fluturuar mbi Bazën Ajrore të Kuçovës, e rinovuar përmes fondeve të NATO-s, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në NATO, Matthew Whitaker, dhe Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, diskutuan aftësinë e Shqipërisë për t’u bërë një nyje logjistike e NATO-s në rajon përmes investimeve në Korridorin VIII, si dhe mënyrat se si Shqipëria mund ta çojë sigurinë rajonale në nivele më të larta përmes rritjes së shpenzimeve në fushën e mbrojtjes”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së.

Whitaker u takua gjithashtu me kryeministrin Edi Rama, i cili në një postim në rrjetet sociale theksoi se në takim kanë diskutuar për “marrëdhënien e ngushtë dhe partneritetin strategjik mes dy vendeve”.

“Diskutuam për marrëdhënien e ngushtë dhe partneritetin strategjik mes vendeve tona, marrëdhëniet tona të shkëlqyera diplomatike dhe ushtarake, forcimi i të cilave është prioritet i përbashkët. Po ashtu folëm edhe për samitin e ardhshëm të NATO-s që vitin e ardhshëm do të mbahet në Tiranë”, shkroi Rama.

Në Ambasadën Amerikane, Whitaker u takua edhe me marinsa amerikanë dhe shqiptarë, si dhe me personel që ka shërbyer në operacionet e NATO-s në Afganistan dhe Irak. Në njoftimin e saj, Ambasada e SHBA-së thekson rëndësinë e “partneritetit mes Shqipërisë dhe SHBA-së në mbrojtjen e vlerave të përbashkëta”.