Shqipëri, Lleshaj: Angazhimi frontal i policisë bëri që kanabisi të jetë alternativë pa të ardhme

TË FUNDIT

Ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Sandër Leshaj deklaroi se lufta frontale kundër kanabisit e ka shkatërruar në themel të gjithë ngrehinën kriminale të ngritur në vend, që nga kryeqendra në Lazarat, e deri në kthinat më të thepisura të maleve të Shqipërisë.

Sipas tij, siç transmeton ATSH, angazhimi frontal i Policisë dhe institucioneve të tjera shtetërore e kanë bërë kanabisin në Shqipëri një alternativë pa të ardhme.

“Në vitin 2019 në bregdetin italian u sekuestrua sasia më e ulët historike e kanabisit. Të gjithë treguesit e nivelit të sigurisë në vend dhe ata të rezultateve në luftën kundër krimit, përfshirë kanabisin, janë në nivelet më të mira historike. Asgjë nuk mund të krahasohet me kohën kur vendin e qeveriste lazaratopatia”, informoi ai.

Reagimi i tij vjen pas deklaratës së Sekretarit për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata i cili ka paraqitur pamje të parcelave me kanabis, që sipas tij tregon se Shqipëria prej dy vitesh po mbillet fuqishëm me drogë.

“Fotografitë nuk janë vetëm një fiasko në aspektin informativ, po edhe një tjetër shembull i radhës së PD nuk i intereson e vërteta, po dizinformimi i publikut. Kur Partia Demokratike flet për kanabisin, përkufizimi i hipokrizisë bëhet vetë PD. Themeluesit krenarë dhe shfrytëzuesit e paskrupullt të kryeqytetit evropian të kanabisit, Lazaratit, e kanë humbur të drejtën morale për të drejtuar gishtin ndaj kujtdo në këtë vend për këtë temë, por jo vetëm për këtë”, tha Lleshaj.

Krahasimi i këtyre treguesve me kohën e qeverisjes së PD, vijoi Lleshaj, prodhon diferenca aq të mëdha, sa që vetë krahasimi i ngjan një abuzimi.

Demokratët akuzuan se i “gjithë territori i shtetit kundërmon në kanabis”.