Shqipëri: Kush nuk paguan energjinë i merret shtëpia

TË FUNDIT

Nëse ke një shtëpi apo e ke blerë banesën me fatura të papaguara të energjisë që shkojnë mbi 300 mijë lekë (2500 euro), atëherë shteti ka të drejtë ta sekuestrojë pronën në rast se nuk paguhen detyrimet.

Ky është ligji më i ri i energjisë që po diskutohet aktualisht në Shqipëri, dhe që ka hapur shumë debate për kaosin që do të shkaktonte në rast se miratohet. Më saktë ka kundërshtime të forta nga opozita dhe ekspertët për një nen të tij, ku thuhet se në rast se nuk paguhet energjia dhe borxhi kap vlerën e 300 mijë lekëve të reja, atëherë shteti ka të drejtë t’i sekuestrojë qytetarit shtëpinë apo prona të tjerë në emër të tij.

I pyetur sot në media për këtë nen, ministri i Energjisë Damian Gjiknuri, i cili bashkë me zëvendës kryeministrin Niko Peleshi ishte pjesë e forumit për thithjen e investimeve të huaja, tha se fatura e energjisë është titull ekzekutiv dhe titujt ekzekutiv kanë mënyra se si ekzekutohen, përfshirë edhe vendosja e barrës hipotekore.

Gjiknuri tha se ka shumë konsumatorë të cilët marrin një pronë dhe e kanë me detyrime të mëdha nga të tjerët, detyrime nga mospagesa e energjisë dhe aktualisht kanë problem për lidhjen e energjisë. Dikush duhet ta paguaj këtë
Më tej ministri tha se ky ligj do të sjellë një normim më të mirë edhe në tregun e pasurive të patundshme, pasi do të detyrojë pronarët të jenë më të kujdesshëm me pronën e tyre. Kur duan të shesin pronën, ta kenë të pastër dhe t’i kenë shlyer të gjitha detyrimet.

Ligji u diskutua dje në Kuvend, por ende nuk është miratuar, pasi nuk gjeti konsensusin mes palëve