Pas bluzave të bardha, të moshuarve, mësuesve, pedagogëve e gazetarëve, në Shqipëri sot filloi imunizimi i forcave të policisë.
Procesi nisi sot në orën 08:00 në stadiumin “Air Albania”.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ishin sot në stadium, ku panë nga afër procesin e vaksinimit të forcave blu, një prej kategorive më të rrezikuara nga Covid-19, duke qenë në kontakt çdo ditë me qytetarë.
Sipas kreut të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu janë 11 mijë e 800 efektivë nga Policia e Shtetit që pritet të vaksinohen, ndërsa sot do të marrin vaksinën anti-Covid Sinovac 600 efektivë.
“Janë 11 mijë e 800 efektivë nga Policia e Shtetit, sot do të vaksinohen 600, nesër përsëri 600 e do të vijojë në ditët me radhë, 60-80 veta në çdo orë”, tha Veliu.
“Është bërë një ndarje mes gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit. Vaksinimi ka filluar edhe në rrethe“, tha ministrja e Shëndetësisë së Shqipërisë, Ogerta Manastirliu.
Kurse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmendi një prej artikujve të “New York Times”, ku thuhej se vaksina Sinovac ishte e para në radhë sa i përket eficencës.
“Kishte nxjerrë New York Times, bazuar në të dhënat e deritanishme dhe Sinovac ishte i pari eficent deri tani”, tha Rama.
Kujtojmë se që nga 11 janari kur filloi procesi i imunizimit në Shqipëri numri i të vaksinuarve ka arritur në 172.486./TCH
