Një ngjarje e rëndë që tenton të tensionojë situatën politike ka ndodhur dje në mbrëmje në qytetin e Kavajës, kur Ndriçim Jonuzi, i njohur si përkrahës i së majtës, ka hyrë në një nga zyrat elektorale të Partisë Demokratike, dhe ka plagosur me armë zjarri Bledar Okshtunin aktivist i opozitës.
Autori në ato momente ka qenë i shoqëruar nga Markel Shtylla, drejtor i Policisë Bashkiakë Kavajë, dhe Dorian Troplini, edhe ky punonjës i Bashkisë Kavajë.
Policia në një njoftim zyrtar bën me dije, se konflikti nisi si pasojë e një konflikti me motive të dobëta, por nuk jep shpjegim se çfarë kërkonte autori i armatosur nën shoqërinë e dy zyrtarëve të shtetit, madje në njoftimin e saj dy personat zyrtarë të bashkisë nuk përmenden fare.
“Sot rreth orës 19:00, në lagjen nr.4, në Kavajë, shtetasi N. J., dyshohet se si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, ka hyrë në ambientet e brendshme të një zyre elektorale të një subjekti politik dhe ka plagosur me armë zjarri pistoletë në këmbë shtetasin B. O., 27 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e Durrësit, nën kujdesin e mjekëve”, thuhet në njoftimin e policisë, i cili shton se po bëhet ndjekja e tij.
Rreth një orë pas ngjarjes, në Kavajë ka mbërritur dhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili akuzoi publikisht Kryeministrin Rama si inspirues të dhunës. Basha tha se pavarësisht veprimeve të tij, opozitës nuk do mund t’ia mbyllin gojën dhe se më 25 prill shqiptarët do i japin përgjigjen e duhur Edi Ramës.
“Nuk na e kanë mbyllur gojën kurrë, nuk i kemi frikë, do marrin përgjigjen e merituar me votë të dielën sepse Kavaja e di fare mirë, të tilla akte kanë shënuar kthesat e mëdha, rrëzimin e diktatorëve dhe diktaturave, tregojnë frikën në palcë dhe humbjen e toruas nga një njeri dhe një grusht njerëzish. Shqiptarët janë të vendosur t’i largojnë dhe të bashkuar për të sjellë ndryshimin. E vendosur dhe e bashkuar është Kavaja, PD, Aleanca për Ndryshim. Le t’ia japim përgjigjen këtij akti burracak, këtij atentati të gjithë masivisht të dielën në kutitë e votimit. Kështu t’i japim fund njëherë e mirë këtij 8-vjeçari makth dhe të kthejmë Kavajën e demokracisë, të shpresës dhe zhvillimit. Të gjithë së bashku, asnjë hap mbrapa, të vazhdojmë marshimin tonë. Krah për krah deri ditën e diel”, deklaroi Basha.
