PD ka rikthyer sërish ditën e sotme kaosin në Kuvend pas dënimit të Ervin Salianjit, ndërsa kanë nxjerrë jashtë sallës së parlamentit karriget e deputetëve të opozitës dhe i kanë vënë flakën.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka folur para Kuvendit dhe ka thënë se kjo situatë është krijuar për shkak të arrestimit të Salianjit dhe Berishës, i cili prej pothuajse një viti ndodhet në arrest shtëpie.
Bardhi akuzoi Ramën se ka djegur Parlamentin, ndaj për këtë arsye opozita ka dorëzuar karriget, sepse sipas tij, në Kuvend janë për interesat e qytetarëve.
Bardhi: Lideri i opozitës Sali Berisha, i cili prej një viti ndodhet në arrest shtëpie, sepse ka vendosur të përballet me Edi Ramës…i dyti ishte nënkryetari i Grupit Parlamentar të PD-së. Denoncoi lidhjet mafizoe të familjes Xhafaj me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe po e vuan prej tre ditësh dënimin. Karriget tona janë të qytetarëve, Edi Rama ka djegur Parlamentin, ne dorëzojmë karriget tona sepse jemi këtu për interesin publik. Do na kenë përballë në çdo moment me regjimin krimianl të Edi Ramës dhe me cilindo që vendo t’i mbyllë gojën opozitës, qytetarëve. Të vërtetës. Të vërtetës nuk i mbyllet dot goja.
Salianji u dënua nga Gjykata e Apelit me një vit burg për kallëzim të rremë në lidhje me dosjen “Babalja” dhe do ta vuajë dënimin në burgun e Fierit. Një ditë pas vendimit të Gjykatës së Apelit, ai u vetëdorëzua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Opozita deklaroi se vendimi për dënimin e Salianjit është politik dhe me këtë hap Edi Rama i ka hapur luftë opozitës.
PD ka paralajmëruar protesta që do të nisin nga 6 tetori dhe gjithashtu bllokim të jetës parlamentare. /vizionplus.tv