Shqipëri: 11 urdhërarreste të tjera për aferën e impiantit të mbetjeve

TË FUNDIT

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Shqipëri lëshoi 11 urdhërarreste, pesë prej të cilave u ekzekutuan, në kuadër të hetimit për impiantin për trajtimin e mbetjeve dhe prodhimin e energjisë në Fier.

Kjo në Shqipëri njihet si afera e inceneratorit të Fierit.

Në njoftimin për media të 15 nëntorit, SPAK tha se kompanitë e përfshira në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e impiantit kanë përfituar 4 milionë euro për punë dhe shërbime që nuk janë kryer asnjëherë.

Ndërsa afro 51 milion euro është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit me skemën e mashtrimit me TVSH-në, duke bërë faturime fiktive.

Mes të arrestuarve është edhe Arben Dervishi, ndërtues dhe aktualisht zëvendëspresident i Federatës Shqiptare të Futbollit.

Më herët ai ka qënë sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve.

Hetimet kanë treguar se Dervishi, në cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve të kompanisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier”, e cila e ndërtoi impiantin, ka miratuar dhe dorëzuar pranë institucioneve shtetërore dokumente të falsifikuara për shërbime që nuk janë kryer dhe pajisje që nuk janë blerë, duke i garantuar kompanisë përfitime në vlerë 4 milionë euro.

Gjithashtu sipas hetimeve, për këto shërbime, Dervishi ka marrë nga Klodian Zoto, aksioner kryesor i kompanisë, përfitime si: udhëtime private jashtë Shqipërisë, bileta avioni, qëndrim në hotele dhe bileta të ndeshjeve të futbollit në stadium në Itali.