Shqetësime në rritje për përshkallëzim të situatës në Izrael

TË FUNDIT

Bastisjet e fundit izraelite në kampin e refugjatëve Jenin, kanë qenë më të përgjakshmet në gati dy dekada.

Nëntë palestinezë janë vrarë pasi trupat ushtarake izraelite besohet se kanë rrethuar ndërtesa.

Është raportuar se në ato momente janë parë: armë zjarri, granata dhe gaz lotsjellës.

Zyrtarët palestinezë kanë thënë se dy prej viktimave kanë qenë civilë, përfshirë një grua 61-vjeçare, derisa shtatë të tjerët, grupet militante i kanë konsideruar si anëtarët e tyre.

Ushtria izraelite ka thënë se trupat ushtarake kanë shkuar në kamp për të arrestuar militantët e Xhihadit Islamik, të cilët besohet se kanë qenë duke planifikuar “sulme të mëdha”.
Në këtë pikë, historia e bën punën e vet.

Ushtria izraelite ka kryer bastisje në Jenin edhe vitin e kaluar, të cilat janë përshkallëzuar me të shtëna nga palestinezët e armatosur.

Shumë banorë lokalë i krahasojnë përjetimet e tyre me ato të vitit 2002, kur ka ndodhur ajo që njihet si kryengritja palestineze.

Atëbotë, Izraeli pati nisur sulmet – të njohura si Beteja e Jeninit – nga të cilat janë vrarë të paktën 52 militantë palestinezë dhe civilë, si dhe 23 ushtarë izraelitë.

Sulmet patën pasuar një fushatë të sulmeve palestineze me bomba vetëvrasëse në Izrael.

Për pasojë, pjesa më e madhe e kampit Jenin është rrafshuar më 2002.

Shkalla e shkatërrimit dhe tentimet e palestinezëve për të zmbrapsur forcat, janë ende pjesë e memories kolektive.

Ato ndodhi shërbejnë si sfond për atë që ka ndodhur prej atëherë.

Pranverën e vitit të kaluar, Izraeli ka nisur operacionin “Thyeni valën”, pas sulmeve në rritje të palestinezëve me armë dhe thika kundrejt izraelitëve.

Disa prej tyre janë kryer nga shtetasit palestinezë të Izraelit që kanë qenë përkrahës të të ashtuquajturit Shteti Islamik.

Shumë të tjerë kanë qenë palestinezë të armatosur të Jeninit, përfshirë Ra’ad Hazem, i cili ka vrarë tre izraelitë në një restorant në Tel Aviv dhe më vonë është vrarë nga forcat e sigurisë.

Kjo ngjarje e ka kthyer fokusin sërish te Jenini.