Shportë e re: Deri në 15% zbritje për pajisjet shkollore! Durmishi me paralajmërim të fundit për tregtarët e ushqimit

TË FUNDIT

Nga 15 gushti fillon masa qeveritare “Shporta shkollore”, e cila do të zgjasë deri më 15 shtator. Tregtarët duhet t’i ulin çmimet e materialeve shkollore deri në 15 për qind. Qëllimi është mbrojtja e buxhetit familjar dhe më pak presion mbi prindërit para fillimit të vitit të ri shkollor. Ministri i Ekonomisë tha se shporta shkollore e vitit të kaluar ishte jashtëzakonisht e suksesshme, ndërsa kursimet për çdo nxënës ishin nga 750 deri në 2.000 denarë.

“Vendimi parashikon detyrim për të gjithë tregtarët, si ata me shumicë ashtu edhe ata me pakicë, që t’i ulin çmimet e materialeve shkollore. Dhe kjo të paktën 10 % në tregtinë me shumicë, dhe të paktën 15 për qind në tregtinë me pakicë. Me këtë masë përfshihen të gjitha dyqanet që ofrojnë material shkollor. Nga libraritë, dyqanet sportive deri te supermarketet”, tha ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.

Masa përfshin një spektër të gjerë produktesh si fletore, çanta, lapsa dhe materiale të tjera bazë. Çmimet do të krahasohen me çmimin referent të datës 1 qershor të këtij viti ose me dokumentet e furnizimit për produktet e futura rishtazi.

E sot Durmishi do të ketë takim edhe me tregtarët, prodhuesit dhe distributorët e ushqimit. Ai tha se ky do të jetë paralajmërimi i fundit për ta që të mos luajnë me çmimet. Në të kundërt, Qeveria do të vendosë masa më të ashpra.

“Kërkesa jonë do të jetë që të veprojnë në mënyrë të përshtatshme. Të veprojnë sipas kostove ekonomike që ata i kanë, të mos luajnë me çmimet, të mos i rrisin çmimet. Ky do të jetë paralajmërimi i fundit, ky do të jetë paralajmërimi i fundit që unë do t’ua them”, shtoi Besar Durmishi – ministër i Ekonomisë dhe Punës.

Durmishi tha se inflacioni “nga tryeza ka kaluar te rezervuarët”. Sipas tij, çmimet e ushqimeve janë stabilizuar, ndërsa inflacioni është zhvendosur në faktorët hotelierë, argëtim, transport dhe çmimet më të larta të karburanteve.