Shpëtohen mbi 60 refugjatë, Athina kërkon ndihmë humanitare

TË FUNDIT

Greqia ka kërkuar sot ndihmë humanitare nga Bashkimi Evropian për të zgjidhur krizën e refugjatëve, ndërsa roja detare e vendit ka kumtuar se është duke vazhduar aksionet e shpëtimit të refugjatëve në det të hapur.
Sot në mëngjes nga ujërat në afërsi të ishullit Lezbos janë shpëtuar 61 persona, në mesin e tyre edhe 14 fëmijë.
Nga ky ishull sot me anije në drejtim të portit Pirej u nisën rreth 2500 refugjatë dhe vetëm brenda javës së kaluar mbi 15 mijë refugjatë u transportuan nga ishujt në brendi të territorit të Greqisë.
Me mijëra refugjatë janë ende në pritje të regjistrimit dhe të transportit të tyre deri në Athinë, prej nga synojnë të vazhdojnë rrugëtimin drejtë shteteve tjera të Evropës Perëndimore.
Që nga fillimi i vitit në Greqi kanë hyrë mbi 230 mijë refugjatë dhe pjesa më e madhe prej tyre nuk dëshirojnë të qëndrojnë atje, por kanë si synim ndonjë prej shteteve më të pasura të Evropës.
Athina kërkoi sot ndihmë humanitare nga Bashkimi Evropian, për tu përballur me situatën tejet të vështirë, duke pasur parasysh valën e madhe të refugjatëve që po vazhdojnë të arrijnë në territorin grek nga Lindja e Afërt dhe Afrika./21Media