“Shpëtimi” i Mijallkovit, gjë që pritej? Debat rreth vendimit të apelit për shfuqizim të aktgjykimit

TË FUNDIT

Për ish-gjykatësen e Gjykatës Supreme, Millka Ristova, nuk ka asgjë befasuese rreth vendimit të Apelit për shfuqizim të aktgjykimit për lëndën “Target-Fortesa” ndaj ish shefit të DSK-së Sasho Mijallkov.

 “Nuk është për t’u befasuar sepse nuk është as gjykimi i parë e as i fundit që është shfuqizuar, megjithatë sa i përket domethënies të vendimit, pritej që lënda të përfundojë ashtu siç e parasheh ligji, ndërsa më së shumti, sepse ende nuk e kemi parë vendimin me shkrim, po më shumë se gjithçka problem është se sa shumë zgjat kjo procedurë”, tha Millka Ristova, ish-gjykatëse në Gjykatën Supreme.

Gazetari Vasko Magleshov rikujtoi se “Target-Fortesa” është aktgjykimi i tretë i Mijallkovit që shfuqizohet, pas lëndëve “Thesari” dhe “Titanik 2”.

 “Në mars ose prill të vitit të ardhshëm pason vjetërsimi absolut për lëndën “Titanik 2”, për dy vjet pason vjetërsimi absolut për lëndën “Target-Fortesa”, që do me thënë se gjithçka shkon drejt një lloj vlerësimi sepse gjyqësori jonë duket hapur nuk mund të arrijë rezultate në afat të shpejtë kohor. Kjo lëndë “Target-Fortesa” në shkallën e parë u gjykua për 3 vjet e 2 muaj, që është periudhë e gjatë”, tha Vasko Magleshov, gazetar.

E për gazetarin Aleksandar Dimitrievsiki është e turpshme që për raste të këtilla duhet të reagohet vetëm pas presionit që vjen nga publiku.

 “Nëse duam të flasim për gjyqësor, mendoj se duhet të ketë një refleks natyral, veçanërisht në këtë lëndë, siç thatë edhe ju në fillim, është lëndë ku në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi janë përgjuar 20 mijë qytetarë. Kjo lëndë është lëndë mbi të gjitha lëndët. Me të vërtetë është turp që të gjykohen transportues në Manastir, për lëndë të vogla, ndërsa lëndën kryesore ta lësh të pazgjidhur”, pohoi Aleksandar Dimitrievsiki, gazetar.

Një gjë tjetër që u theksua gjatë debatit nga gazetari Magleshov është edhe cilësia e dyshimtë e gjykatësve të Apelit. Sipas tij, për fat të keq në vendin tonë viteve të fundit zgjidhen gjykatës me përvojë të pakët gjyqësore, e zgjedhja e tyre bëhet në Këshillin Gjyqësor, anëtarët e të cilit janë zgjedhur nga Kuvendi, pra nga politika.