Shpërthen raketa e “Blue Origin” në Florida, pronë e Jeff Bezos

TË FUNDIT

Një raketë e kompanisë Blue Origin shpërtheu në platformën e lëshimit në Florida gjatë një testi të motorit. Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë një top të madh zjarri që përfshiu objektin në Cape Canaveral, ndërsa kompania në pronësi të Jeff Bezos konfirmoi se kishte ndodhur një problem, raportoi BBC.

Në një postim në rrjetet sociale, Blue Origin bëri të ditur se kishte ndodhur një “anomali” gjatë testit të ndezjes së motorit në platformën e lëshimit dhe se të gjithë punonjësit janë të sigurt dhe pa lëndime.

Incidenti ndodhi rreth orës 21:00 sipas kohës lokale. Themeluesi i kompanisë, Jeff Bezos, konfirmoi gjithashtu se nuk ka persona të lënduar.

“Është shumë herët për të folur për shkakun, por tashmë po punojmë për ta zbuluar,” shkroi ai. “Kjo është një ditë shumë e vështirë, por do të rikthejmë gjithçka që duhet dhe do të fluturojmë sërish. Ia vlen përpjekja”, shtoi Bezos.

Autoriteti për Menaxhimin e Emergjencave në qarkun Brevard deklaroi se nuk ka asnjë kërcënim për zonën përreth. Ndërkohë, Forcat Hapësinore të SHBA-së njoftuan se ekipet e emergjencës janë në terren dhe po bashkëpunojnë me Blue Origin për të analizuar të dhënat dhe për të përcaktuar shkakun e saktë të incidentit.

Federal Aviation Administration bëri të ditur se është në dijeni të incidentit, por sqaroi se testi nuk ishte pjesë e një aktiviteti të licencuar nga FAA dhe se nuk pati ndikim në trafikun ajror.

Drejtori i NASA, Jared Isaacman, reagoi në rrjetin social X.

“Fluturimet hapësinore janë të pamëshirshme dhe zhvillimi i kapaciteteve të reja për lëshimin e ngarkesave të rënda është jashtëzakonisht i vështirë. Do të bashkëpunojmë me partnerët tanë për të mbështetur hetimin e plotë të kësaj anomalie, për të vlerësuar pasojat afatshkurtra për misionet dhe për t’u rikthyer te lëshimet”, tha ai.

Shpërthimi ndodhi vetëm një muaj pasi raketa më e re e Blue Origin, New Glenn, u tërhoq pas një hetimi të FAA-së për një “aksident” gjatë lëshimit. Kompania më pas tentoi të vendoste në orbitë satelitin AST SpaceMobile, por nuk arriti ta çonte në lartësinë e planifikuar. Megjithatë, kompania hapësinore në nëntor të vitit të kaluar realizoi me sukses lëshimin e raketës New Glenn nga Florida.