Shpërthen diga e liqenit në Kinë, mijëra të evakuuar

TË FUNDIT

Në provincën qendrore kineze Hunan, rreth 5.800 njerëz u evakuuan për shkak të shpërthimit të digës në liqenin Dongting.

Diga shpërtheu mbrëmjen e së premtes gjatë rehabilitimit dhe forcimit urgjent të një prej seksioneve të saj, i dëmtuar pas reshjeve të dendura në zonë në ditët e fundit, sipas mediave kineze.

Uji ka mbuluar një sipërfaqe prej rreth 50 kilometra katrorë dhe sipas njoftimit të autoriteteve lokale deri më tani nuk ka viktima.

Në vendngjarje janë dërguar kamionë me rërë për të mbyllur sa më parë vendin ku ka shpërthyer diga.

Rreth 1.000 tenda të pajisura me shtretër dhe dyshekë të palosshëm u ngritën për të akomoduar qytetarët e evakuuar.

Liqeni Dongting është liqeni i dytë më i madh i ujërave të ëmbla në Kinë. Qe nga 16 qershori, provinca kineze Hunan është goditur nga reshjet më të mëdha të këtij viti, ku disa rajone kanë thyer rekorde për sasinë e reshjeve. Një incident i ngjashëm me shpërthimin e digës në këtë liqen ka ndodhur edhe në vitin 1996.