(E plotësuar) Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës që nga viti 2009 ndajnë mirënjohje për tatimpaguesit e rregullt, ndërsa këtë vit janë shpërblyer 25 kompani për pagesa të rregullta të tatimeve gjatë vitit 2014.
Kryetari i Odës Ekonomike te Kosovës, Safet Gerxhaliu, tha se bizneset përkundër sfidave me të cilat po ballafaqohen, po arrijnë të përmbushin obligimet e tyre si tatimpagues ndaj shtetit.
Ndërkaq, ministri i financave Avdullah Hoti, u shpreh se suksesi i bizneseve është njëkohësisht edhe sukses i Kosovës. Sipas tij kjo ngjarje tregon suksesin e Kosovës, transmeton KP.
Nahit Sharku nga Administrata Tatimore e Kosovës, tha se kjo qasje e tatimpaguesve ka bërë që ATK të zhvillohet, ndërsa Lulzim Rafuna nga Dogana e Kosovës tha se dogana do të jetë çdo herë ne shërbim të qytetarëve.
“Performanca e mirë e tatimpaguesve është sukses i te gjithëve së bashku”, tha Rafuna.
Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane njoftoi se do te ndahen mirënjohje për tatimpaguesit për 3 kategori: kategoria e bizneseve me qarkullim mbi 5 milionë euro, bizneset me qarkullim 1 deri 5 milionë dhe bizneset me qarkul lim 100 mijë deri 1 milion euro.
………………………..
Shpërblehen kontribuesit më të mëdhenj të Buxhetit në vitin 2014
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës dhe Doganat e Kosovës, organizon sot ceremoninë tradicionale të shpërblimit të tatimpaguesve të vitit, këtë radhë për vitin 2014.
Qëllimi i këtij organizimi, sipas organizatorëve, është që përmes këtij aktiviteti të shpërblehen kontribuesit më të mëdhenj të Buxhetit të Kosovës, të rritet vetëdija e komunitetit të biznesit të vendit tonë rreth obligimeve të tyre fiskale ndaj shtetit, të fuqizohet komunikimi me Administratën Tatimore, të inkurajohen taksapaguesit që të vazhdojnë t’i kryejnë obligimet e tyre, si dhe të prezantohet para opinionit të gjerë publik se nga vijnë të ardhurat e Buxhetit të Kosovës.
Ceremonia do të mbahet në Ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, në orën 11:00
