Shpallet epidemi në Gostivar! Vetëm sot 204 pacientë kanë kërkuar ndihmë, 3 janë hospitalizuar

TË FUNDIT

Qendra për Shëndet Publik në Tetovë, përmes departamentit të epidemiologjisë, shpalli zyrtarisht epidemi gastrointestinale në Gostivar.
Drejtori, Shaqir Zylbehari, njoftoi se për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve, në repartin e infektives së Spitalit të Gostivarit sot kanë kërkuar ndihmë rreth 104 pacientë, tre prej të cilëve janë hospitalizuar.

“Sot kanë kërkuar ndihmë rreth 204 pacientë, prej të cilëve tre janë edhe të hospitalizuar.
Në repartin e pediatrisë numri ka qenë rreth 145 pacientë, prej të cilëve 105 kanë qenë raste të reja, ndërsa 35 të tjerë kanë qenë kontrolle.
Po ashtu, edhe në repartin e urgjencës janë paraqitur rreth 9 pacientë. Të gjithë këta pacientë kanë simptoma të njëjta, si dhimbje dhe diarre.
Si pasojë e rritjes së vazhdueshme të numrit të rasteve dhe tejkalimit të limiteve javore, Qendra për Shëndet Publik në Tetovë, përmes departamentit të epidemiologjisë, ka shpallur epidemi gastrointestinale” ,tha Shaqir Zylbehari

Ndërkohë Dragan Koçinski, udhëheqës i Departamentit për Epidemiologji të Sëmundjeve Ngjitëse në IShP, tha se deri tani janë dorëzuar 140 lajmërime zyrtare për sëmundje ngjitëse, ndërsa epidemiologët e Gostivarit dhe të Institutit për Shëndetësi Publike ende po i anketojnë personat e sëmurë.

“Është tejkaluar pragu në nivel javor, kjo duhet të theksohet se problemi me numrin e të infektuarve është gjatë kësaj jave. Ajo që është me rëndësi kur flasim për lajmërimin e një epidemie, sipas definicionit që gjendet edhe në ligj, është se bëhet fjalë për një rritje jo të zakonshme në krahasim me të njëjtën periudhë të viteve paraprake. Ajo që duhet ta them është se duhet të merret parasysh se për të lajmëruar një epidemi duhet të ketë edhe lajmërime zyrtare për sëmundje ngjitëse të dorëzuara te shërbimi epidemiologjik – deri në këtë periudhë janë 140”, tha Dragan Koçinski

Me kërkesë të Prokurorisë Publike Themelore të Gostivarit, janë marrë mostra për cilësinë e ujit nga ujësjellësi i Gostivarit dhe janë kryer analiza. Rezultatet e këtyre analizave do t’i dorëzohen deri nesër Prokurorisë së Gostivarit, e cila e udhëheq rastin. Sipas Koçinskit, ekipet profesionale kanë punuar vazhdimisht këto ditë që analizat të përfundojnë në kohë.

“Instituti për Shëndetësi Publike menjëherë doli në terren, në lokacionet e caktuara, dhe mori mostra për analiza mikrobiologjike, si dhe fizike e kimike të ujit. Pas kthimit të ekipit në orët e hershme të mëngjesit të së premtes, menjëherë filloi procedura për analizimin e mostrave. Duhet të bëj edhe një apel te popullata e Gostivarit që të bashkëpunojë me personat që i kontaktojnë për anketim epidemiologjik dhe t’i dëgjojnë rekomandimet e punonjësve shëndetësorë përsa i përket dhënies së mostrave për ekzaminim mikrobiologjik”, deklaroi Dragan Koçinski

Nga Instituti për Shëndetësi Publike thonë se do të vazhdohet me analizat deri në konstatimin e plotë të shkaqeve të ndotjes së ujit të pijshëm. Agjencia për Ushqim dhe Veterinari të premten lëshoi ndalesë për përdorimin e ujit të pijshëm nga ujësjellësi i qytetit të Gostivarit. Qytetarëve u rekomandohet t’u përmbahen masave deri në lejimin zyrtar të përsëritur për përdorimin e ujit të pijshëm.