Shojgu: 300.000 rezervistë do të mobilizohen që të luftojnë në Ukrainë

TË FUNDIT

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergej Shojgu sot deklaroi se mobilizimi i pjesshëm të cilin e paralajmëroi presidenti rus Vladimir Putin ka të bëjë për persona me përvojë ushtarake dhe paralajmëroi se do të thirren 300.000 rezervistë.

Shojgu, duke i folur publikut pas Putinit, tha se ata të cilët do të thirren do të kalojnë trajnim ushtarak para se të shpërndahen.

Shojgu tha se Rusia në Ukrainë lufton kundër Perëndimit.

Sipas tij, “gati i gjithë rrjeti satelitor në NATO punon kundër Rusisë në Ukrainë” dhe “Ukraina gjithnjë e më shumë përdor armë perëndimore që të sulmojë civilë”.

Shojgu tha se Perëndimi i dërgon armë Ukrainës në sasi të mëdha.

Ai tha se Rusia ka humbur 5.937 persona në “operacionin special ushtarak në Ukrainë”, ndërsa Ukraina gjysmën e armatës.