Shkupi po “mbytet” nga mbeturinat.
Përveç qeseve me mbeturina, në këtë pjesë shihen të hedhura dyshekë dhe tepihë.
“Kështu është gjendja në “Xhon Kenedi”, pikërisht përballë shkollës “Vasil Glavinov”, siç mund ta shihni qytetarët jo vetëm që nuk mund të kalojnë në trotuar por mbeturinat kanë dalë edhe në rrugë kryesore”, raporton gazetarja e TV21, Fazile Halili.
Nga pamundësia për të kaluar në këtë pjesë të rrugës qytetarët, dhe fëmijët të cilët shkojnë në shkollë rrezikohen nga veturat.
Për këtë pyetëm në Qytetin e Shkupit se kur do të pastrohen, por përgjigje nuk morëm. Kryetarja në largim, Danella Arsovska me anë të një postimi në facebook reagoi duke e shpërndarë fotografinë e kandidatit të VMRO-DPMNE-së Orce Gjergjievski, i cili është favorit për tu shpallur kryetar i Qytetit të Shkupit, në të cilin shkruan:
“Për mbeturinat në Shkup, ai duhet të kontaktojë kryetaren e Bordit të Drejtorëve të Higjienës Komunale, Julijana Spirovska nga VMRO, e cila është një kriminele e dënuar ligjërisht për 2 (dy) vepra penale dhe ajo ka menaxhuar mbeturinat dhe Higjienën Komunale Shkup për 4 vjet”, tha Arsovska.
Ndryshe nga Prokuroria Themelore Publike e Shkupit njoftuan se tashmë kanë filluar procedurën dhe po ndërmarrin veprime për sigurimin e provave për një vepër të mundshme penale. Nga atje bejne të ditur se janë dërguar kërkesa edhe te shërbimet komunale inspektuese që të kryejnë një kontroll të jashtëzakonshëm inspektues dhe të konstatojnë gjendjen aktuale.
Nderkohe edhe Qeveria ka urdhëruar një kontroll të jashtëzakonshëm dhe të koordinuar në territorin e Shkupit për shkak të krizës me mbeturinat. Nga atje thonë se Inspektoratet shtetërore dhe Ministria e Brendshme do të hetojnë gjendjen e mbeturinave dhe punën e NP “Higjiena Komunale” dhe të kryetares së Shkupit, për shkak të mosgrumbullimit të mbeturinave që paraqet rrezik për shëndetin publik.


