Shkupi mund të jetë pastruar në shumë zona, por jo kudo. Këto pamje janë bërë afër shkollës fillore “Kongresi i Manastirit” dhe Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, ku siç shihet është krijuar një mini-deponi me mbetje të ndryshme të hedhura përgjatë rrugës.
Në vend të një hapësire të rregullt afër institucioneve arsimore, ky segment është kthyer në një grumbullim të ndotur ku ka mbetje plastike, materiale ndërtimi dhe gjësende të tjera të cilat nuk janë larguar nga shërbimet komunale. Banorët e zonës thonë se problemi është prezent prej kohësh dhe kërkojnë pastrim urgjent, si dhe kontroll më të rreptë ndaj hedhjes së paligjshme të mbeturinave.
Ndërkohë Këshilli i Qytetit të Shkupit në seancën e fundit miratoi një vendim me të cilin ndalohet hedhja e mbeturinave komunale në kontejnerë nga ora 22:00 e mbrëmjes deri në ora 06:00 të mëngjesit. Qytetarët që nuk do ta respektojnë këtë vendim do të përballen me gjobë prej 50 eurosh. Në disa muajt e parë do të zbatohen vetëm vërejtje.
