Digjet deponia në Shuto Orizarë! Arsovska premtoi se do t’i pastrojë në 80 ditët e para

TË FUNDIT

Thuajse çdo ditë i vihet flaka kësaj deponie të egër në Shuto Orizarë të Shkupit.

Kjo dhe shumë deponi të tjera vazhdojnë të shihen nëpër kryeqytet, sidomos vendet më periferike.

Kryetarja e Qytetit të Shkupit Danella Arsovska në fushatën zgjedhore pat premtuar se ndër punët e para që do bëjë, është pastrimi i deponive në Shkup e rrethinë, edhe atë brenda 80 ditëve.

 “Pastrimi i të gjitha deponive të egra në të gjithë qytetin dhe rrethinën edhe atë në 82 ditët e para të mandatit”, tha Danella Arsovska, kryetare e Qytetit të Shkupit.

Kanë mbetur edhe rreth 20 ditë që Arsovska të përmbushë premtimin për pastrim të deponive brenda 80 ditëve. Po në teren nuk po shihen makineritë e pastrimit.

 “Kjo është deponia më e madhe në Qytetin e Shkupit e që gjendet në Shuto Orizare kryetarja e tanishme Danela Arsovska në fushatën zgjedhore pat premtuar se 80 ditët e para do të pastrojë çdo deponi të egër në kryeqytet e kjo i bije që çdo deponi duhet të pastrohet deri më 20 janar”.

Nga Qyteti i Shkupit kërkuam përgjigje se kur do të pastrohet deponia në Shuto Orizarë por nuk morëm përgjigje.

Deponitë vazhdojnë të mbeten në Shkup, e madje edhe të digjen, në kohën kur kryeqyteti po përballet me ajrin e ndotur gjatë dimrit. Para dy ditësh ndotja e ajrit ishte alarmante e cila kishte tejkaluar normalen e grimcave PM.

Në Propozimin e buxhetit të qytetit të Shkupit janë paraparë 29 milionë denarë për pastrimin i deponive dhe lumenjve, por në të nuk është përmendur pastrimi i deponisë në Shuto Orizarë.