Shkupi do të jetë nikoqir i konferencës së parë ndërkombëtare “Skopje Security Conference 2026”, një ngjarje që do të mbledhë ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë nga fushat e sigurisë, politikave, teknologjisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Konferenca, e organizuar nga Qendra për Studime të Sigurisë – Shkup, do të mbahet më 19 qershor 2026 në hotelin “DoubleTree by Hilton” në Shkup, nën temën: “Siguria në tranzicion: orientimi përmes teknologjisë, gjeopolitikës dhe qëndrueshmërisë në një botë në ndryshim”.
Qëllimi i ngjarjes është hapja e debatit mbi sfidat e reja të sigurisë në një periudhë të zhvillimit të shpejtë teknologjik, ndryshimeve globale gjeopolitike, kërcënimeve hibride, rreziqeve ekonomike dhe pasojave të ndryshimeve klimatike.
Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rolit të inteligjencës artificiale në mbrojtjen kibernetike dhe konfliktet bashkëkohore, mbrojtjes së infrastrukturës kritike, bashkëpunimit rajonal dhe forcimit të qëndrueshmërisë institucionale.
Hapja e konferencës është paraparë për në orën 09:00, me fjalime përshëndetëse nga dr. Ardijan Ismaili, themelues dhe drejtor ekzekutiv i “Skopje Security Conference” dhe kryetar i Qendrës për Studime të Sigurisë – Shkup, si dhe nga Ben Nupnau, zëvendësshef i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut.
Gjithashtu, është paraparë edhe fjalimi i prof. dr. Astrit Iseni, zëvendësministër i Punëve të Brendshme.
Në kuadër të konferencës do të zhvillohen pesë panele të nivelit të lartë, të cilat do të trajtojnë aspekte të ndryshme të sigurisë bashkëkohore.
Paneli i parë do të fokusohet në sigurinë multilaterale, diplomacinë dhe parandalimin e konflikteve në kushte të fragmentimit gjithnjë e më të madh ndërkombëtar.
Paneli i dytë do t’i kushtohet luftës kognitive, dezinformatave dhe kërcënimeve hibride, përkatësisht ndikimit mbi shoqëritë përmes teknologjive moderne dhe informacionit.
Një temë e veçantë do të jetë inteligjenca artificiale në sigurinë kibernetike dhe mbrojtje, ku ekspertët do të diskutojnë për teknologjitë e reja dhe rolin e tyre në luftërat moderne.
Në konferencë do të shqyrtohen edhe çështjet që lidhen me ndryshimet klimatike, sigurinë energjetike dhe ndikimin e burimeve në stabilitetin rajonal.
Paneli i fundit do t’i kushtohet sigurisë ekonomike, investimeve strategjike dhe rreziqeve që ndikojnë në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Në “Skopje Security Conference 2026” do të marrin pjesë përfaqësues nga Maqedonia e Veriut, Zvicra, Shqipëria, Finlanda, Katari, Çekia, Bullgaria, Turqia dhe vende të tjera.
Organizatorët presin që konferenca të kontribuojë në pozicionimin e Shkupit si një qendër rajonale për dialog strategjik, bashkëpunim dhe shkëmbim përvojash në fushën e sigurisë.
