SHKUPI GATI PËR TA PRITUR PAPËN, PAPA FRANÇESKU: LARAMANIA E KULTURAVE, BUKURI E VEÇANTË E RMV-së

TË FUNDIT

“Bukuria e Maqedonisë së Veriut është në larminë e kulturave, etnive dhe religjioneve”  – Kështu tha Papa Françesku në një video-incizim, përmes së cilit iu drejtua qytetarëve të Maqedonisë së Veriut tre ditë para ardhjes në Shkup. Papa thotë se vizitën ia kushton Nënë Terezës.

“Bukuria e veçantë e vendit tuaj, është si rrjedhojë e kulturave të ndryshme, etnikumeve dhe religjioneve, që jetojnë aty.  Gjithsesi se bashkëjetesa nuk është çdo herë e lehtë, këtë e dimë, por vlen të derdhet mund, sepse mozaikët më të mirë janë ato që kanë shumë ngjyra”, u shpreh Papa Françesku.

Papa Françesku po vjen, e Shkupi ka bërë plane se si do ta mirëpres. Përveç rrugëve që po sanohen dhe pemëve të cilat përkohësisht po shkulen, gjatë vizitës së Papës do të anulohen kontrollet mjekësore “Termini im” që janë caktuar me datë 07.05.19 njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë. Kurse përveç ndihmës së shpejtë, askush nuk do të mund të parkohet në Qendrën Klinike.

“Ministria e Shëndetësisë informon se për shkak të protokolleve të posaçëm lidhur me vizitën e Papës, të gjithë kontrollet e rregullta të klinikave në Qendrën klinike që qytetarët i kanë caktuar më 7 maj në kuadër të “Termini im” do të riprogramohen në afat më të shkurtër të mundshëm, duke filluar nga 08.05.2019”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se pacientët do të marrin të gjitha intervenimet e duhura shëndetësore, me një plan special të ministrisë.

Do të ketë regjim të veçantë edhe në komunikacion. Disa rrugë do të jenë të mbyllura plotësisht dhe qytetarët obligohen të mbajnë me vete dokumente identifikimi.  Parkingjet në Komunën Qendër do të jenë pa pagesë tërë ditën. Transporti publik si dhe transporti hekurudhor, nga Shkupi dhe për në Shkup, gjithashtu do të jetë falas.

“Nga ora 6:00 deri në 19:00 do të formohet ‘Zonë e Kufizuar’ e lëvizjes,  ku për makinat do të mbyllen plotësisht rrugët: ‘11 Tetori’ nga kryqëzimi me Blvd. ‘Koço Racin’ deri në udhëkryq me rr. ‘Dimitrie Çupovski’, rr. Dame Gruev, rr. ‘Maqedonia’, rr. ‘Vasil Glavinov’, rr. ‘Filip 2 Makedonski’, rr. ‘Shën Klimenti i Ohrit’  dhe rr.”Ilo Vojvoda”, thonë nga Qeveria, Sektori për Marrëdhënie me Publikun.

Pasagjerët që kanë fluturime me datë 07 maj në mëngjes, duhet të paraqiten në Aeroportin e Shkupit deri në orën 7 paradite, pasi nga ora 7:30 deri në 9 rrugët për në aeroport do të jenë të mbyllura. Pasagjerët që kanë fluturime në mbrëmje duhet të arrijnë në Aeroport deri në orën 15:30, njoftojnë nga TAV.

Ndryshe Maqedonia e Veriut do të jetë vendi i 42-të që do të vizitohet nga Papa Françesku nga nderimi i tij si Papa i Kishës Katolike Romake në vitin 2013. Papa pas vizitës së tij në Bulgari, vjen në Maqedoni, ndërsa pas do ta vizitojë Rumaninë.

Përgatiti: Almedina Ismajli