Vazhdon kaosi me mbeturinat, në rrugë e trotuare.
Ka disa ditë që Shkupi është në këtë gjendje.
Afër kontejnerëve të pastruar shihen edhe goma të veturave që janë hedhur.
“Është pastruar vendi këtu në “Xhon Kenedi” përballë shkollës “Vasill Gllavinov”, ku para disa ditësh raportuam se qytetarët nuk mund të kalonin nga mbeturinat, mirëpo në disa pika të tjera ende nuk janë të pastruara”.
Përveç kësaj dje në disa pjesë të Shkupit janë shfaqur minj në madhësinë e një maceje rreth ndërtesës së Qeverisë.
Epidemilogu Dragan Danillovski në Facebook shkruan se mbeturinat nuk janë më çështje estetike por rrezikohet shëndeti publik.
“Gropat e mbeturinave kanë krijuar kushte ideale për zhvillimin dhe riprodhimin e minjve dhe minjve – bartës të njohur të sëmundjeve të rënda infektive: leptospiroza, hantavirusi dhe madje edhe murtaja bubonike”, tha Dragan Danillovski.
Nga NP “Higjiena Komunale” bënë të ditur se dje kanë mbledhur gjithsej 350 ton mbetje komunale.
“Gjatë ditës së djeshme dhe mbrëmjes së kaluar, “NP Higjiena Komunale – Shkup” zbatoi aktivitete për mbledhjen dhe transportimin e mbetjes komunale nga kontejnerët e vendosur në bulevardin “Goce Dellçev” deri te hoteli VIP, bulevardin “Aradhet Partizane”, bulevardin “Mitropolit
Teodosij Gologanov”, rrugët “Dame Gruev” dhe “Xhon Kenedi”, si dhe në disa lokacione në komunën Aerodrom”, thotë NP “Higjiena Komunale”.
Megjithatë nga kjo ndërmarrje theksojnë se nuk kanë marrë përgjigje nga kryetarët e komunave se ku e hedhin mbetjen nga aktivitetet e supozuara të mbledhjes së mbetjes komunale që pretendojnë se po e kryejnë në kuadër të komunave të tyre.
