Shkup: Mbahet Fushata “Përpara rozë – hapa kundër kancerit të gjirit”

TË FUNDIT

Në kuadër të fushatës së shtatë tradicionale e cila ka për qëllim luftën kundër kancerit të gjirit, me moton “Përpara rozë 2015 – hapat kundër kancerit të gjirit” një numër i madh i qytetarëve iu bashkëngjitën aktiviteteve të organizuara dedikuar kësaj fushate, raporton Anadolu Agency (AA).

Fushata realizohet nën organizim të Shoqatës “Borka – për çdo ditë të re” në mbështetje të Ambasadës amerikane në Maqedoni. Kryetarja e Shoqatës “Borka – për çdo ditë të re”, Biba Dodeva, theksoi se kjo fushatë organizohet me qëllim të ngritjes së vetëdijes së shoqërisë për rreziqet e kancerit të gjirit.

“Të gjitha këto gra të mbledhura këtu tregojnë se kanë një kurajo të madhe që bashkërisht të luftojmë kancerin e gjirit. Megjithatë, sot ndodhemi këtu për t’i përkujtuar ata që i humbëm nga ky kancer”, u shpreh Dodeva.

Dodeva shtoi se në Maqedoni numri i grave të prekura nga kanceri i gjirit për vitin 2015 ka arritur mbi 1.200 persona. Sipas saj, vetëdija e shoqërisë ndaj kancerit të gjirit nga dita në ditë rritet dhe kjo njëjtë kontribuon që gratë të kryejnë kontrolle parandaluese.

Ambasadori amerikan në Maqedoni, Jess Baily, tha se kjo fushatë ndihmon në rritjen e vetëdijes dhe zbulimin e hershëm të kësaj sëmundje. Ai shtoi se SHBA ndjehet krenare të bashkëpunojë me organizata të këtilla, që kanë qëllim përmirësimin e shëndetit të njeriut.

Pjesëmarrës në këtë fushatë ishin edhe bashkëshortja e presidentit të Maqedonisë, Maja Ivanov dhe ministri i Shëndetësisë, Nikola Todorov,

Fushata përfundoi me marshimin e mbi 1 mijë pjesëmarrësve prej tre kilometrash nëpër rrugët e qytetit, për të dhënë mesazhin mesazhin mbi rëndësinë e diagnozës së hershme të pacientëve, si parakusht themelor për fitore ndaj kancerit të gjirit.