Shkup-Bllacë në fokus të takimit në Selanik! Ministrat diskutojnë edhe për rrugën Tetovë-Prizren

TË FUNDIT

Samiti për Investime në Transport që u mbajt në Selanik ka shërbyer si pikë takimi për dy ministrat e trasnportit, atij të Maqedonisë së Veriut Aleksandar Nikollovski dhe të Kosovës Dimal Basha, e ku në fokus ka qenë ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë në pjesën e Maqedonisë, si një arterie e rëndësishme për dy shtetet.

“Ky projekt përfaqëson lidhjen rrugore më të rëndësishme mes Maqedonisë dhe Kosovës, e cila do të kontribuojë për transport më të shpejtë, më të sigurt dhe më efikas, do të përmirësojë lëvizshmërinë e qytetarëve dhe ekonomisë dhe do të forcojë më tej bashkëpunimin rajonal. Bashkëbiseduesit u pajtuan se infrastruktura më e mirë e transportit do të mundësojë aktivitet më intensiv ekonomik, qarkullim më të lehtë të njerëzve dhe mallrave dhe do të krijojë mundësi të reja për investime dhe zhvillim të komunitetit të biznesit në të dy vendet”, tha Ministria e Transportit e RMV-së

Ministri i infrastrukturës dhe transportit të Kosovës, Dimal Basha, kumtoi se kanë folur edhe për rrugën Tetovë-Prizren.

“Bashkë diskutuam fillimisht për rëndësinë e projektit që do të nis në ditët e ardhshme, Autoudhën Shkup-Bllacë, investim në vlerë 200 milionë euro dhe që do ta lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave mes vendeve tona. Po ashtu, çështje bisede ishte edhe rruga Prizren-Tetovë, për të cilën u dakorduam që të zhvillohen disa studime për fazën e ardhshme të punimeve, në mënyrë që ato të kryhen sa më mirë”, tha Dimal Basha, ministër i Infrastrukturës dhe Transportit të Kosovës.
Ministria e Trasnportit e Maqedonisë kumtoi se në këtë takim po ashtu është diskutua për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes Maqedonisë dhe Kosovës, me fokus në realizimin e projekteve të përbashkëta infrastrukturore me rëndësi strategjike. Të dy palët kanë vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera dhe u zotuan për intensifikimin e bashkëpunimit institucional për të rritur tregtinë, konkurrueshmërinë dhe zhvillimin ekonomik afatgjatë në të dy vendet.