“Shkrirja” e çmimeve do t’i “ngrijë” xhepat, Bekteshi s’është i sigurt se nuk s’do ketë rritje të çmimeve të produkteve

TË FUNDIT

Qytetarët druajnë se do të ketë rritje të çmimeve, ndërsa ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi shmangi që të përgjigjet nëse është i sigurt se pas skadimit të vendimit për ngrirjen e çmimeve, produktet nuk do të shtrenjtohen përsëri. Edhe kësaj here, ashtu siç ishte me masat paraprake, ai po pret që prodhuesit ta respektojnë atë që e kanë dakorduar paraprakisht, përkatësisht të mos rriten çmimet.

“Po, tashmë nuk do të vlejnë, por unë thashë edhe në momentin kur publikuam se nuk do t’i vazhdojmë, nëse një kompani , këtë po e them publikisht, nëse një sektor në mënyrë artificiale përpiqet që t’i rrisë çmimet, të gjitha institucionet do të veprojnë dhe kjo gjë nuk do të lejohet. Unë kam biseduar dhe ekipi im ka biseduar, gjatë këtyre bisedave ata kanë thënë se për produkte të caktuara mund të ketë ulje të çmimeve”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Masa për çmimet e ngrira të produkteve bazë ushqimore siç janë buka, qumështi, produktet e mishit, frutat dhe perimet, prej sot nuk vlen dhe tregtarët mund t’i rrisin çmimet. Bekteshi paralajmëroi kontrolle të përforcuara.

“Nuk parashikojmë masa, do të vlejnë të gjitha dispozitat e Ligjit për Inspektoratin e tregut, DAP, Policinë financiare dhe të Ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve, që është tërësisht i harmonizuar me rregullat e BE-së, ndërsa inspektorët duhet t’i bëjnë kontrollet sipas vendimit të Qeverisë”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Përmes kumtesës reaguan nga VMRO-DPMNE.

“Kovaçevski dhe Grubi prej sot e ndalën masën për ngrirjen e çmimeve, populli me rroga më të ulëta për 1/3 krahasuar me rrogat para dy viteve, paguan çmime astronomike për produkte. Pushteti nuk u ballafaqua me krizën, në vend të masave reale, qeveria zbatoi zgjidhje të pjesshme. Kovaçevski dhe Grubi përmes popullit i mbushin zbrazëtirat e buxhetit që ata i bënë me marrëveshjet e dëmshme me të cilat nxjerrin miliona”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Masë për ngrirjen e çmimeve të produkteve ushqimore, Qeveria solli disa herë, së pari për bukën, pastaj për produktet e tjera. Këtë hap e ndërmorën pasi prodhuesit nuk e respektuan vendimin e qeverisë për uljen e çmimeve pas marrjes së rrymës së subvencionuar.