Ka shkuar në 95 numri i personave të vdekur në Spanjë pas përmbytjeve katastrofike. Ekipet e emergjencës në Spanjën jugore vijojnë kërkimet për personat që janë ende të zhdukur. Qindra ushtarë janë vendosur në Valencia, një nga zonat më të goditura, për të ndihmuar në përpjekjet e shpëtimit.
Ministrja e Mbrojtjes, Margarita Robles tha se një njësi ushtarake e specializuar në operacionet e shpëtimit do të fillojë të gërmojnë nën baltë dhe mbeturina të tjera dhe do të përdorin edhe qen nuhatës për të kërkuar për viktima të mundshme. E pyetur nëse numri i viktimave ka të ngjarë të rritet, ajo tha: “Për fat të keq ne nuk jemi optimistë”.
Përmbytjet e së martës ishin më të këqijat në Spanjë që nga viti 1996, kur 87 njerëz vdiqën pasi shiu i rrëmbyeshëm goditi një kamping në malet e Pirenejve.
Shiu intensiv i është atribuar një fenomeni të njohur si “pika e ftohtë”, e cila ndodh kur ajri i ftohtë lëviz mbi ujërat e ngrohta të Mesdheut. Kjo krijon paqëndrueshmëri atmosferike, duke bërë që ajri i ngrohtë dhe i ngopur të ngrihet me shpejtësi, duke çuar në shi të dendur dhe stuhi.