( E plotësuar)
Fatkeqësisë së përplasur mbi Nepalin e varfër ende nuk i duket fundi. Bilanci i viktimave tanimë numëron 3.600 të vdekur e nuk është çudi të rëndohet akoma më shumë.
Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Operacioneve të Emergjencës, të plagosurit janë mbi 6.500. Ekipet e kërkim-shpëtimit vetëm tani i janë afruar zonave të thella në perëndim të vendit, ku shumë komunitete, sidomos ato në zonat malore, kanë pësuar dëme të mëdha.
15 skuadra ndërkombëtare specialistësh dhe 14 ekipe mjekësh janë rrugës për në Nepal, ku përpjekjet për gjetjen e të mbijetuarve mes rrënojave vazhdojnë, edhe pse, siç tha për Reuters zyrtari i Ministrisë së Brendshme, Laxmi Prasad Dhakal, pas dy ditësh kërkimesh të pareshtura në terren, punonjësit janë të sfilitur.
Ndihmë kanë dhënë deri tani Shtetet e Bashkuara, Kina, India, Britania, Pakistani e Norvegjia, ndërsa kanë premtuar edhe Gjermania, Spanja, Franca, Izraeli e Bashkimi Europian.
…
Shkon në 3,218 numri i të vdekur nga tërmeti
Nga tërmeti shkatërrues që ndodhi të shtunën në Nepalin, është ngritur në mbi 3,000 numrin e të vdekurve. Kjo shifër u bë i ditur nga kreu i agjencisë për menaxhimin e emergjencave në Nepal, Rameshwor Dangal, i cili tha se kanë vdekur 3,218 dhe janë plagosur rreth 6,500 të tjerë.
Përveç në Nepal tërmeti ka shkaktuar viktima dhe dëme edhe në Kinë e Indi, raportojnë mediat e botërore.
Ky termët raportohet të jetë tërmeti më i fuqishëm dhe më i rëndi në histori të Nepalit në më shumë se 80 vjet.
Siç raporton BBC, si pasojë e këtij tërmeti në malin Everest është lëshuar një ortek i madh, i cili ka lënë të vdekur të paktën 17 alpinistë dhe më shumë se 60 persona të lënduar. / 21MEDIA
