Një nga shkollat fillore më të mëdha të Kumanovës, sot duket gjysmë e zbrazët. Dikur “Bajram Shabani” ishte e stërmbushur me nxënës, por ato gjenerata tani duken vetëm në fotografitë e varura në mure. Drejtoria shpreh shqetësimin se nuk po mbushin dot klasat, duke thënë se prindërit po çregjistrojnë fëmijët për të marrë rrugën e mërgimit.
Hiç më mirë nuk janë as shkollat e mesme! Në njërin nga gjimnazet e Kumanovës “Sami Frashëri” nga drejtoria thonë se viteve të fundit marrin leje të posaçme prej Ministrisë së Arsimit që klasat t’i mbajnë nën limitin ligjor të formimit të paraleleve. Dikur kishte 9 paralele në një gjeneratë, tani rrezikohet të mbeten me 6.
Komuna e Kumanovës ka 21 shkolla, prej të cilave 17 janë fillore dhe 4 të mesme. Prej tyre janë çregjistruar 111 filloristë, ndërsa nga shkollat e mesme u larguan 63 nxënës, thonë nga Sektori komunal i arsimit. Kjo do të thotë se rreth 100 familje janë shpërngulur nga komuna, e cila tani numëron 13,454 nxënës. Kjo çështje është ngritur në Kuvendin Komunal për të marr masa urgjente.
Nga Ministria e Arsimit thonë se të gjitha shkollat raportin vjetor e dorëzojnë në përfundimin e vitit shkollor. Ata nuk kanë një numër të përditësuar se sa nxënës i kanë braktisur bankat shkollore në nivel vendi. Nuk na dhanë informata as për arsyet apo masat e parandalimit të këtij fenomeni. Të dhënat e Entit të Statistikave tregojnë se në 7 vitet e fundit Maqedonia ka humbur 17 mijë nxënës nëpër të gjitha shkollat e vendit.
